Bota

Ish-presidenti i Brazilit, Bolsonaro, shpallet fajtor për komplot për grusht shteti

Vendimi i Gjykatës Supreme të Brazilit e bën Bolsonaron ish-presidentin e parë në historinë e vendit që dënohet për sulm ndaj demokracisë.

zh.ll
Ish-presidenti i Brazilit, Bolsonaro, shpallet fajtor për komplot për
Jair Bolsonaro

BRAZIL- Ish-presidenti brazilian Jair Bolsonaro u dënua me shumicë votash nga Gjykata Supreme të enjten për komplotimin e një grushti shteti për të mbetur në pushtet pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022, një goditje e fuqishme për lëvizjen populiste të ekstremit të djathtë që ai krijoi. Vendimi i Gjykatës Supreme të Brazilit e bën Bolsonaron ish-presidentin e parë në historinë e vendit që dënohet për sulm ndaj demokracisë.

Tre nga pesë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë e shpallën 70-vjeçarin fajtor për udhëheqjen e një komploti që synonte ta mbante në pushtet, pasi humbi zgjedhjet e vitit 2022 ndaj rivalit të tij të krahut të majtë, Luiz Inácio Lula da Silva. Ndërsa komploti nuk arriti të siguronte mbështetje të mjaftueshme nga ushtria për të vazhduar, ai kulmoi me sulmin ndaj ndërtesave qeveritare nga mbështetësit e Bolsonaros më 8 janar 2023, zbuluan gjyqtarët.

Një gjyqtar e liroi Bolsonaron dhe një gjyqtar i fundit ende nuk ka votuar, por shumica e thjeshtë është e mjaftueshme për të dënuar ish-presidentin, i cili tani mund të përballet me dekada burg. 

Fati i ish-presidentes u vulos të enjten kur gjyqtarja Carmén Lúcia hodhi votën e saj. Ajo e shpalli atë fajtor për të pesë akuzat: përpjekje për të organizuar një grusht shteti, drejtim të një organizate të armatosur kriminale, përpjekje për heqjen me dhunë të sundimit demokratik të ligjit dhe dy akuza të tjera që lidhen me dëmtimin e pronës gjatë sulmit me forcë ndaj ndërtesave në Brasília më 8 janar 2023.

Një gjyqtar i katërt, Luiz Fux, votoi për të liruar Bolsonaron nga akuzat të mërkurën, duke pretenduar se nuk kishte "absolutisht asnjë provë" që ish-presidenti kishte qenë në dijeni ose pjesë e një komploti të dyshuar për të vrarë Lulën dhe Moraes në fund të vitit 2022, ose kishte tentuar të organizonte një grusht shteti.

Fux e quajti kryengritjen e 8 janarit 2023 - kur Bolsonaristët e zjarrtë plaçkitën gjykatën supreme, pallatin presidencial dhe kongresin - një "akt barbar" që kishte shkaktuar "dëme në shkallë amazoniane". Por gjyqtari, i cili gjithashtu argumentoi në mënyrë kontraverse se gjykata nuk kishte juridiksion mbi çështjen, pretendoi se nuk kishte prova që Bolsonaro ishte fajtor për nxitjen e trazirave.

Megjithatë, Fux votoi për të dënuar dy nga aleatët më të ngushtë të Bolsonaros - ish-ministrin e tij të mbrojtjes, gjeneralin Walter Braga Netto, dhe ish-ndihmësin e tij, nënkolonel Mauro Cid - për krimin e përpjekjes së dhunshme për të shfuqizuar demokracinë braziliane. Gjykatësi arriti në përfundimin se dyshja kishte ndihmuar në planifikimin dhe financimin e një komploti për të vrarë Moraes me qëllim gjenerimin e kaosit shoqëror që ata shpresonin se do të shkaktonte një ndërhyrje ushtarake.

Dënimi i Bolsonaros pritet të caktohet të premten, pasi gjyqtari i mbetur, Cristiano Zanin, të ketë hedhur votën e tij. Ekspertët thonë se dënimi për krime, përfshirë organizimin e një grushti shteti dhe përpjekjen e dhunshme për të shfuqizuar demokracinë e Brazilit, mund të jetë deri në 43 vjet. Ish-presidenti nuk mori pjesë në gjykatë këtë javë, duke qëndruar në rezidencën e tij aty pranë, ku është nën arrest shtëpiak dhe ku oficerët e policisë janë vendosur për t'u siguruar që ai të mos ikë në njërën nga ambasadat e huaja të Brazilias./ZËRI

Poll

MOS HUMB