
LA PAZ - Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Bolivisë ka kërkuar një dënim prej 30 vitesh burg për ish-presidenten Jeanine Anez.
Mbi ish-kryetaren e shtetit rëndon akuza për gjenocid, pasi mbahet akuzohet për vdekjet e dhjetëra njerëzve, gjatë protestave, të zhvilluara pas zgjedhjeve të vitit 2019.
Mbi 30 njerëz, kryesisht mbështetës të ish-presidentit Evo Morales, u vranë pas trazirave, në fund të vitit 2019. Pas këtyre zgjedhjeve, Morales u rizgjodh president, por më vonë dha dorëheqjen e u largua nga vendi, pas akuzave për mashtrim zgjedhor. Më pas, Anez mori pushtetin, duke ushtruar detyrën për më pak se një vit.
Prokurori i Përgjithshëm i Bolivisë Juan Lanchipa tha në një konferencë për shtyp se forcat e specializuara ushtarake përdorën armë kundër civilëve, gjë që shkaktoi vdekje dhe lëndime të shumta.
Përpos Anez, nën akuza janë vënë edhe disa ish-kolegë të saj, si dhe ish-shefa ushtarakë dhe policie. Ekipi ligjor i Anez nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi akuzat.
Vitin e kaluar, një gjykatë boliviane e shpalli ish-presidenten Anez fajtore për orkestrimin e një grushti shteti, që e solli atë në pushtet, gjatë krizës politike të vitit 2019. Ish-presidentja ndodhet në burg, pasi tashmë ka marrë një dënim me 10 vite heqje lirie./Zëri.ai/