
BEJRUT- Pas ekzekutimit të liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, krahu i tij i djathtë Naim Kassem tha se janë gati për t’u mbrojtur nga sulmi izraelit. Ai tha se operacioni tokësor i Izraelit në Liban do të dështojë dhe se janë marrë të gjitha masat për “të përzënë armikun”. Po ashtu bëhet me dije se Izraeli po përgatitet të sulmojë Libanin nga ajri, toka dhe deti. Gjatë fjalimit të tij, Kassem tha ata nuk i frikëoshen ushtrisë izraelite dhe shtoi se Hezbollahu ka humbur një baba.
“Hezbollahu ka humbur një vëlla, një mik, një baba dhe një udhëheqës. Por pavarësisht humbjes së Nasrallah dhe komandantëve të tjerë, ne do të vazhdojmë marshimin kundër Izraelit. Ne kemi besim se armiku izraelit nuk do t'i arrijë qëllimet e tij. Fitorja do të jetë e jona”, tha Kassem.
Kassem akuzoi Izraelin se ka kryer masakra ndaj civilëve në Liban dhe është mbështetur nga SHBA-të. Ai tha se çdo organizatë tjetër do të ishte shembur nën sulmet e nisura kundër saj nga Izraeli, por nuk ndodhi dhe se Hezbollahu do të vazhdojë të luftojë forcat e Tel Avivit.
“Izraeli po kryen krime dhe masakra në çdo pjesë të Libanit. Izraeli po sulmon fshatra, qytete dhe shtëpi specifike. Çdo shtëpi ka gjurmët e sulmit izraelit. Izraeli sulmon civilët, mjekët. Izraeli sulmon këdo që ecën në rrugë dhe këdo që qëndron në shtëpi. Ata nuk janë luftëtarë. Forcat izraelite po vrasin, po kryejnë masakra dhe krime kundër civilëve”, theksoi ai.
Në të njëjtën kohë, ai fajësoi qeverinë amerikane për qëndrimin e saj, duke thënë se ajo është partneri i Izraelit dhe ofron mbështetje të pakufizuar ushtarake, kulturore, politike dhe ekonomike. Në të njëjtën kohë, ai tha se Hezbollahu ka aftësinë për të shënjestruar Izraelin, duke theksuar se vetëm një raketë bëri që një numër i madh izraelitësh të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
“Ne do të qëndrojmë këtu. Ne do të jemi të vendosur. Ne do të vazhdojmë rezistencën islame. Ne do të vazhdojmë të përballemi me armikun izraelit në mbështetje të Palestinës dhe Gazës dhe në mbrojtje të popullit tonë libanez”, tha ai, duke argumentuar se Hezbollahu po përdor minimumin e tij dhe se Izraeli nuk do të jetë kurrë në gjendje të arrijë dhe godasë instalimet e tij ushtarake.
Udhëheqësi i grupit militant Hezbollah, Hassan Nasrallah u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut të premten. Ushtria izraelite tha se disa komandantë të lartë të Hezbollahut u vranë së bashku me Hassan Nasrallahun në një sulm të fuqishëm ajror. /ZËRI