
GAZA- Ka rinisur sulmi mbi Gaza! Ushtria izraelite thotë se po zgjeron operacionet e saj. Rrjetet e komunikimit janë ndërprerë dhe bombardimet janë intensifikuar ndjeshëm. Njerëzit në Gaza nuk mund të kontaktohen aktualisht, pasi rrjetet e komunikimit janë ndërprerë që prej kohës kur bombardimet u intensifikuan.
Krahu ushtarak i Hamasit thotë se është duke u përplasur me forcat izraelite në Gazën veriore dhe gjithashtu ka shënjestruar dy qytete jugore izraelite me "breshëri të forta raketash". Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka paralajmëruar sërish njerëzit në qytetin e Gazës që të lëvizin në jug për sigurinë e tyre.
Luftimet, sipas fraksionit të Hamasit, po zhvillohen në pjesën veriore të Rripit, pikërisht aty ku shteti hebre ka zgjeruar operacionin tokësor duke futur edhe tanket. Ndërkohë që tanket mësyjnë, Gaza ka mbetur tërësisht e shkëputur nga bota, pa rrymë elektrike, pa komunikim dhe pa internet.
Nuk është bërë ende e ditur se në çfarë shkalle është ndërhyrja, por, sipas zëdhënësve ushtarakë izraelitë, nuk kemi të bëjmë ende me atë operacion përfundimtar. Nga ana tjetër, thirrje të vazhdueshme kanë ardhur nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i cili vazhdon dhe këmbëngul se palët duhet të shpallin armëpushim./Zëri.ai