Bota

Masakra/ Izraeli vret 22 anëtarë të familjes së gazetarit të Al Jazeera

Korrespondenti i Al Jazeera, Moamen Al Sharafi humbi 22 anëtarë të familjes së tij, pasi Izraeli bombardoi vendin ku ata qëndronin.

D.XH
Masakra/ Izraeli vret 22 anëtarë të familjes së gazetarit
Tanke izraelite ne Gaza

GAZA - Një punonjës i Al Jazeera ka humbur 22 anëtarë të familjes së tij në një sulm ajror izraelit, në shtëpinë ku ata ishin strehuar në Rripin e Gazës. Anëtarët e familjes së Moamen Al Sharafi, një korrespondent i Al Jazeera Arabic, u vranë të mërkurën në mëngjes në kampin e refugjatëve Jabalia në Gazën veriore.

Prindërit e Al Sharafi, Mahmoud dhe Amina, vëllezërit e motrat e tij dhe bashkëshortet e tyre, si dhe nipërit e mbesat ishin në mesin e të vrarëve. Al Sharafi i tha Al Jazeeras se një fuçi shpërthyese goditi shtëpinë, duke shkaktuar një krater të thellë në tokë. "Asnjë nga ekuipazhet e mbrojtjes civile nuk ishte në gjendje të arrinte trupat e viktimave. Ne jemi të penguar t’iu themi lamtumirë të dashurve tanë dhe jemi të privuar nga varrimi”, tha ai.

Një video e xhiruar pas sulmit tregoi një të afërm të Al Sharafit duke vajtuar, teksa qëndronte pranë hedhurinave të shtëpisë që u bombardua. “Duket sikur ata goditën shtëpinë rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit. Nuk arritëm dot në vendin e ngjarjes derisa të perëndonte dielli”, tha i afërmi, duke shtuar se disa fëmijë u vranë. Ndërkohë, Al Sharafi ndau përmbajtjen e mesazhit të fundit zanor që nëna e tij Amina i dërgoi para se të vritej në bombardim. Fjalët e fundit të nënës së tij ishin: “Të jesh mirë, biri im. Zoti të bekoftë”.

Në një deklaratë, Rrjeti Mediatik Al Jazeera denoncoi sulmin izraelit dhe tha se do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë për të mbajtur përgjegjës të gjithë ata që shkaktuan këtë krim të rëndë. “Ngjarja e tmerrshme u regjistrua të mërkurën në kampin Jabalia, ku familja e Moamen kërkoi strehim, duke çuar në vrasjen e babait, nënës, tre vëllezërve e motrave dhe fëmijëve të tij. Al Jazeera i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të lirisë së shtypit që të punojnë për t'i dhënë fund këtyre masakrave menjëherë dhe për të siguruar drejtësi të shpejtë për familjet e dëshmorëve dhe viktimave të pafajshme," tha rrjeti televiziv.

Më 25 tetor, një bastisje izraelite vrau disa anëtarë të familjes së Uael Dahdouh, një korrespondent tjetër arab i Al Jazeera në Gaza. Mohamed Abu Al-Qumsan, një inxhinier transmetimi në Al Jazeera në Gaza, gjithashtu humbi 19 anëtarë të familjes, duke përfshirë babanë e tij dhe dy motrat, në sulmet ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia më 31 tetor. Të paktën 16,248 palestinezë janë vrarë në Gaza që nga 7 tetori. Në Izrael, numri zyrtar i të vdekurve është rreth 1,200./ZËRI/

Poll

MOS HUMB