
INDI- Për Bhoomi Chauhan, bllokimi në trafikun e rrugëve të Ahmedabadit i shpëtoi jetën! Ajo fillimisht u mërzit se humbi biletën e avionit, por në fakt i shpëtoi një vdekjeje të sigurt në fluturimin që duhet të kishte destinacion Londrën. Avioni i "Air India" u rrëzua disa sekonda pasi u ngrit nga Aeroporti Ndërkombëtar 'Sardar Vallabhbhai Patel'. Nga 242 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bord, vetëm një mbijetoi.
"Isha duke u përgatitur të dilja nga aeroporti kur mësova për rrëzimin. Fillova të dridhesha. Këmbët filluan të më dridheshin. Ndihesha e mpirë për një kohë të gjatë,"- tha Bhoomi pasi humbi fluturimin e dështuar.
Bhoomi ishte planifikuar të hipte në AI 171 për të udhëtuar drejt Londrës, ku jeton me bashkëshortin e saj. Ajo po vizitonte Indinë pas dy vitesh dhe ishte me pushime. Megjithatë, ajo mbërriti në aeroportin e Ahmedabadit 10 minuta me vonesë pasi u bllokua në trafik.
"Fluturimi ishte planifikuar të nisej në orën 13:10. Procedura e hipjes në bord mbaroi në orën 12:10 dhe unë mbërrita në orën 12:20. Kisha arritur te porta e regjistrimit dhe u kërkova atyre të më lejonin të hipja në fluturim. U thashë se do t'i kryeja të gjitha formalitetet shpejt, por ata nuk më lejuan. U vonova sepse kisha ngecur në trafik. Isha e mërzitur (pasi më refuzuan hipjen në bord) dhe arrita në dalje të aeroportit kur mësova se avioni ishte rrëzuar. Ganpati ji (perëndi indiane) më shpëtoi,"- shtoi ajo.
Vishëash Kumar Ramesh, një britaniko-indian 40-vjeçar, ishte i vetmi person në bordin e avionit të fatkeq që mbijetoi.
"Tridhjetë sekonda pas ngritjes, pati një zhurmë të fortë dhe pastaj aeroplani u rrëzua. E gjitha ndodhi kaq shpejt", tha Ramesh, i cili pësoi lëndime në gjoks, por që mrekullisht është ende gjallë.
Zyrtarët vendas thanë se fluturimi "AI 171" humbi lartësinë menjëherë pas ngritjes rreth orës 13:30 të së enjtes. Avioni u përplas në lagjet e banimit të mjekëve të Kolegjit Mjekësor BJ dhe shpërtheu në flakë. Piloti kishte lëshuar një thirrje për ndihmë urgjente 'Mayday', duke shënuar një emergjencë menjëherë pas ngritjes. Ekspertët e aviacionit thanë se, bazuar në pamjet e disponueshme, mungesa e shtytjes në të dy motorët dhe goditja e ndonjë tufe me zogj mund të jenë ndër shkaqet e mundshme të aksidentit ajror. Por hetimet ende vazhdojnë./ZËRI