
PARIS - Ka dhënë dorëheqjen kryeministrja e Francës, Elizabeth Borne. Dorëheqja e saj u pranua nga presidenti Emannuel Macron. Kjo lëvizje brenda radhëve të qeverisë franceze vjen pas një viti të dëmtuar nga krizat politike, të shkaktuara nga reformat e kontestuara të sistemit të pensioneve dhe ligjet e imigracionit. Kjo dorëheqje gjithashtu vjen vetëm pesë muaj përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, me euroskeptikët që pritet të fitojnë, në një kohë të pakënaqësisë së gjerë publike për rritjen e kostove të jetesës dhe dështimit të qeverive evropiane për të frenuar flukset e migracionit.
Sondazhet e opinionit publik tregojnë se partia e Macron është pas lideres së ekstremit të djathtë Marine Le Pen, me rreth tetë deri në dhjetë pike diferencë, për zgjedhjet e qershorit në BE. Spekulimet për një riorganizim të qeverisë ishin të përhapura, që kur Macron në dhjetor premtoi një nismë të re politike.
Ndër ata që citohen si kandidatë të mundshëm për të zëvendësuar Borne janë ministri 34-vjeçar i Arsimit Gabriel Attal dhe ministri i Mbrojtjes 37-vjeçar Sebastien Lecornu. Nëse njëri nga ta arrin të zgjidhet në krye të qeverisë franceze, do të ishte kryeministri më i ri i Francës.
Ministri i Financave Bruno Le Maire dhe ish-ministri i Bujqësisë Julien Denormandie janë përmendur gjithashtu nga ekspertët si emra për të qenë kryeministër.
Ndryshimi i kryeministrit nuk do të çojë domosdoshmërisht në një ‘zhvendosje’ të politikave, por përkundrazi do të sinjalizojë një dëshirë për të shkuar përtej reformave të pensioneve dhe imigracionit dhe për t'u fokusuar në prioritete të reja, duke përfshirë arritjen e punësimit të plotë.
Një burokrate karriere që u shërbeu shumë ministrave të Partisë Socialiste përpara se të bashkohej me qeveritë e Macron, Borne ka qenë kryeministre nga maji i vitit 2022. Në moshën 62-vjeçare, ajo ishte gruaja e dytë që shërbeu në këtë post. Macron dhe qeveria e tij, e udhëhequr nga Borne, kanë luftuar për t'u marrë me një parlament më të trazuar, ku kanë kërkuar të miratojnë ligje, që kur humbën shumicën e tyre absolute menjëherë pasi Macron u rizgjodh për një mandat të dytë në 2022.
Këshilltarët e presidentit francez thonë se ai ka arritur të kalojë pjesët më sfiduese të problemeve të tij ekonomike në vitin e parë e gjysmën e mandatit të tij të dytë, pavarësisht mungesës së shumicës absolute dhe se reformat e ardhshme, për shembull në arsim dhe eutanazi, do të jetë më konsensuale. Por vendimi i Macron për të përdorur fuqitë ekzekutive vitin e kaluar për të kaluar një rritje të kontestuar të moshës së pensionit në 64 vjeç, shkaktoi javë protestash të dhunshme. /ZËRI/