
BRITANI E MADHE- Fillimisht kishte habi. Pastaj ekzaltim dhe tani hije dyshimi. The Sun në artikullin e saj shkruante se të shtunën Princesha e Uellsit, Kate Middleton, u pa me William në një fermë që shet prodhime të freskëta nga fermat e Kalasë Windsor. Në lajm shkruhej se çifti fillimisht ka bërë një shëtitje në dyqan dhe më pas kanë dalë për pazar, duke theksuar se ajo dukej “në gjendje të mirë shëndetësore, ishte e relaksuar dhe shumë e lumtur”. Dyqani ushqimor është vetëm një milje nga rezidenca e Kembrixhit dhe përdoret nga anëtarët e familjes mbretërore.
Gjatë fundjavës, sipas të njëjtit lajm, çifti ka ndjekur edhe aktivitetet sportive të fëmijëve të tyre.
Dy dalje publike dhe asnjë foto!
Sidoqoftë, teoritë e konspiracionit ende nuk u ndalën. Dhe kjo sepse nuk ka asnjë foto zyrtare apo amatore të shfaqjeve publike të Kate Middleton. Një foto do t'i jepte fund të gjithë skenarëve për shëndetin e saj dhe marrëdhënien e saj me burrin e saj. Është mbresëlënëse që raportimet e daljeve publike nuk bazohen në një foto, por në dëshmitarë okularë. Mediat e huaja vështirë se mund ta besojnë se nuk ka pasur një njeri që të fotografonte daljen e saj të parë kur kanë kaluar pothuajse tre muaj nga dalja e fundit publike e Kate Middleton, në ditën e Krishtlindjeve.
Historia bëhet edhe më e vështirë, pasi shumë media flasin për një lidhje jashtëmartesore të Princit William.
Sipas Sunday Times, Kate Middleton ka shumë gjasa të bëjë daljen e saj të parë publike më 31 mars, në shërbimin e Pashkëve, ndërsa të gjitha indikacionet tregojnë se ajo do të kthehet në detyrat e saj më 17 prill, kur të mbarojnë pushimet e Pashkëve në Britani. Por duke patur parasysh se çfarë ka ndodhur, të gjithë janë skeptikë./ZËRI