
PRISHTINË- Qindra qytetarë u mblodhën të shtunën për të marrë pjesë në paratën e krenarisë në Prishtinë, e cila u organizua në mbështetje të të drejtave të Komunitetit LGBT në Kosovë. Nën ritmet e këngëve si “Just Dance” të Lady Gagas, apo “Amanet” të Vesa Lumës, qytetarët kanë marshuar nëpër rrugët e qytetit, por jo të vetëm.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe figura politike e pjesëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë. Në mesin e tyre ka qenë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, i Shëndetësisë, Arben Vitia, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Në muajin mars të vitit 2022 parlamenti i Kosovës dështoi të miratonte në parim projekt Kodin Civil, i cili i hap rrugë rregullimit ligjor të martesave ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë, mes kundërshtimesh dhe debatesh të rrepta. Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në raportin e këtij viti për Kosovën theksoi se komuniteti LGBT vazhdon të përballet me diskriminimim dhe shkallë të ultë të pranimit shoqëror./ZËRI