
PEKIN- Kina ka ndërtuar një robot të vogël, të ngjashëm me një krimb, për ta futur në tru. Sipas shkencëtarëve që e kanë krijuar, "krimi" mund të revolucionarizojë kirurgjinë dhe të shpëtojë mijëra jetë. Shkencëtarët kinezë pohojnë se "mikrofibreboti" mund të zvogëlojë rrezikun e gjakderdhjes dhe të "vrasë urie" tumoret e trurit duke i detyruar ata të tkurren. Roboti u zhvillua nga shkencëtarë kinezë nga një sërë universitetesh, duke përfshirë Wuhan, Hefei dhe Shangai, ndërsa hulumtimi dhe dizajni i robotit u publikuan në revistën kryesore Science Robotics.
"TheSun" shkruan se roboti i vogël do të futet në trurin e njerëzve duke përdorur një tub kateteri të hollë e fleksibël. Në formë të një spiraleje, roboti pak më pak se gjysmë milimetri i gjatë do të "zvarritet" nëpër tru. Mjekët do të kontrollojnë robotin e vogël duke përdorur magnet - dhe ndryshimi i formës fleksibël të tij, e lejon që të bllokojë enët problematike të gjakut. Kjo pasi aneurizmat dhe tumoret e trurit janë disa nga shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën.
Një nga hapat e parë të ndërmarrë nga mjekët për të trajtuar sëmundje të tilla është ndërprerja e rrjedhës së gjakut duke futur një tub të hollë duke mbyllur enët e gjakut. Sidoqoftë, kjo metodë është e kufizuar për shkak të stabilitetit.
Roboti i vogël - vetëm rreth gjysmë milimetri, mund të ndryshojë madhësinë duke u zgjatur ose tkurrur - dhe mund të drejtohet lart e poshtë duke përdorur fusha magnetike. Forma e përdredhur do të lejojë më shumë kontroll dhe saktësi sesa metodat e tjera konvencionale të përdorura deri më tani. Ndërsa studiuesit kanë paralajmëruar se roboti është ende në fazat e hershme të zhvillimit, ata arritën në përfundimin se roboti ka potencial ekstrem për të revolucionarizuar edhe operacionet e trurit./ZËRI