
PRISHTINË- Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë i dhanë fund sërish pa ndonjë përparim takimit të së enjtes në Bruksel, në të cilin u diskutua lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se Lajçak ka dalë me një propozim të ri për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e pagesave.
“Ne kemi marr përkushtimin tonë që në një periudhë prej një javësh të dërgojmë sygjerimet apo brengat tona për propozimin e fundit”, tha Bislimi duke nënvizuar se gjatë takimit zyrtarët serbë kanë dhënë deklarata sipas tij shqetësuese lidhur me atë se si e shohin fuksionimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Sot për herë të parë ne kemi parë haptazi, të dokumentuar nga Serbia, se si ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit. Përderisa për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën, Asociacioni është nënkuptuar si një mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe të koordinojnë ushtrimin e disa veprimeve të tyre, Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se diskutimet ishin të vështira.
“Ne patëm mundësinë të prezantojmë gjithçka rreth ideve të Bashkimit Evropian se si të zgjidhet çështja e dinarit, duke pasur parasysh se vendimi i njëanshëm i Albin Kurtit për shfuqizimin e dinarit kërcënon mbijetesën e popullit serb në Kosovë. Ne kemi treguar aq shumë konstruktivitet saqë të gjithë e kanë të qartë se problemi është që në momentin e parë në Prishtinë, e cila me vendim të njëanshëm i solli të gjithë këtë situatë, në radhë të parë popullatën serbe e cila është në rrezik,”- tha Petkoviç duke nënvizuar se bisedimet pritet të vazhdojnë më 13 maj.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi. Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore./VOA