
KOSOVË-Aktivitetet për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës kanë nisur në vend. Në kuadër të organizimeve për ditën e veçantë në Kosovë janë pritur figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ka munguar në ditën e veçantë për Kosovën, por as ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe ish-kryeministri italian, Massimo D'Alema. Kujtojmë se Britania e Madhe ishte ndër të shtetet e para që e shtyu përpara agjendën e çlirimit të Kosovës.
Gjatë konferencës ndërkombëtare për 25-vjetorin e Ndërhyrjes së NATO-s “Rugova dhe Perëndimi”, kryeministri Edi Rama, ka folur për liderin historik të Kosovës, të cilin e konsideron një gjeni, dhe një politikan jotipik në mesin e shqiptarëve. Rama ka deklaruar vendet e Ballkanit kanë një moment shansi historik që të qojnë parapa një projekt dialogu dhe orientimi drejt së ardhmes me secili guri i rëndë në vend të vet, e në këtë pikë Kosova është një gur i rëndë në vend të vet që askush nuk mund ta luaj, por duhet të zërë vend në mes të gjithë gurëve të bashkësisë ndërkombëtare, duke formësuar plotësisht subjektivitetin e vet ndërkombëtar.
Fjalën në Kuvendin e Kosovës e pati edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, i cili u shpreh se me padurim pret ta shoh ditën kur Kosova do të zërë vendin e duhur në familjen e kombeve si shembull për tërë botën. Sipas tij, lufta e popullit të Kosovës simbolizonte vullnetin për një të ardhme më të mirë si shtet i pavarur dhe sovran. Blair nënvizoi nevojën që e ardhmja e Kosovës të jenë në Bashkim Evropian. Ndër të tjera ai kërkoi që vendet që se njohin Kosovën të binden për ta bërë një gjë të tillë sa më shpejtë. Për kontributin e rij ai u nderua me gurin e Ibrahim Rugovës, po ashtu edhe me 'Çelësin e Qytetit" në Prishtinë.
Çfarë ndodhi në vitet ' 91-'99
Shpërbërja e Jugosllavisë filloi në vitin 1991 me shpalljen e pavarësisë nga Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia. Bosnjë-Hercegovina pasoi në vitin 1992. Serbia udhëhoqi ose nisi luftërat kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Heercegovinës, vetëm Maqedonia u kursye nga forcat serbe.
Edhe në Kosovë, shenjat e hershme tregonin për një përshkallëzim: qysh në vitin 1989, kryetari i Lidhjes së Komunistëve në Serbi, Sllobodan Millosheviq, i hoqi autonominë krahinës së Kosovës. Largimi i shqiptarëve nga administrata shtetërore dhe sektori publik (shëndetësia dhe arsimi) në Kosovë kishte filluar më parë dhe u zgjerua masivisht me heqjen e autonomisë. Për një kohë të gjatë pati rezistencë jo të dhunshme nga shqiptarët e Kosovës, të udhëhequr nga shkrimtari Ibrahim Rugova, i cili më vonë u bë presidenti i parë i Kosovës.
Më 12 qershor të vitit 1999 NATO-ja filloi operacionin e vendosjes së trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas një fushate 78 ditëshe të bombardimeve ndaj forcave serbe, që po atë ditë filluan largimin nga Kosova, duke i dhënë fund luftës gati dy vjeçare. Atëbotë në Kosovë u vendosën rreth 50 mijë ushtarë, ndërsa numri i tyre është shkurtuar vit pas viti. Nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila deri tash është njohur nga mbi 110 vende të botës në mesin e të cilave Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të rëndësishme të Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtohet nga Beogradi dhe Moska. Negociatat e paqes mes palës serbe dhe asaj të Kosovës, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, u zhvilluan në Rambuje afër Parisit në shkurt 1999. Bisedimet u mbajtën nën udhëheqjen e Grupit të Kontaktit. Këto ishin përpjekjet e fundit diplomatike të evropianëve dhe të SHBA-së për t'i detyruar shqiptarët dhe serbët e Kosovës t'i japin fund luftimeve me një marrëveshje.
/ZËRI