
SPANJË- Kreu i një bande hajdutësh, foli në programin "Sonsores Onega" të Antena 3 dhe dha detaje sesi ka arritur, që të vjedhë shtëpinë e disa futbollistëve me emër, të tillë si Cristiano Ronaldo, Karim Benzema etj. Kryehajduti, duke fshehur identitetin dhe i ulur në karrige nga shpina, zbuloi se ai ishte përgjegjës për grabitjen e shtëpisë së Cristiano Ronaldos.
“Isha unë ai që grabita shtëpinë e Cristiano Ronaldos në Portugali,” rrëfeu hajduti, i specializuar në grabitjen e shtëpive të yjeve të sportit.
Fillimisht dyshohet se banda kreu vjedhjen e shtëpisë së yllit portugez në Madeira.
“Shumë vite më parë kam hyrë në shtëpinë e Ronaldos në Madeira dhe e kam vjedhur atë. Ishte një plaçkë interesante. Ne marrim orendi, që vlejnë shumë. Nëse një orë kushton 2 milionë euro, ne e sheshim atë për 300 mijë euro. Nuk është një fitim i vogël, apo jo”, tha hajduti.
Kryehajduti deklaroi se ka vjedhur edhe shtëpinë e yllit të futbollit, Karim Benzema.
“Nuk është aq e lehtë të kryesh një vjedhje. Unë zakonisht as që ia kam idenë se kush do të vidhet. Mua më vijnë informacione për vilën e personit ku do hyjmë. E ruajmë atë për muaj me radhë. Pastaj, ne veprojmë, në momentin që nuk ka njeri në shtëpi. Informatorët janë pastruesit e shtëpië, armiq të personit, kushdo që ka interes për këtë gjë. Ne i paguajmë”, deklaroi ‘kapoja’ i një grupi hajdutësh.
Sipas hajdutit me nam, fajtorë janë futbollistët, që promovojnë ora të shtrenjta në rrjetet sociale ose tregojnë shtëpinë e tyre luksoze. Gjëja më e pazakontë është se hajduti konsiderohet një ‘vip’ nga shumë persona.
“Më kërkojnë autografe, më kërkojnë foto, kërkojnë këshilla. Nuk ka njeri që mund të më ndalojë", tha hajduti. Ai shtoi se shuma më e madhe që ka vjedhur ka qenë 15 milionë euro./Zëri.ai/