
KOSOVË– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti uroi qytetarët e Kosovës në 16-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Kurti, në këtë urim, ka kujtuar të gjithë heronjtë, dëshmorët, martirët, ata që u sakrifikuan, punuan dhe u angazhuan për Republikën e Kosovës.
“Duke i përkujtuar ata, ne përkujtojmë se çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të mbërritur këtu, por edhe rrugën, të cilën do ta vazhdojmë sigurisht drejt integrimeve evropiane e euroatlantike dhe për këtë një falënderim iu shkon partnerëve tanë ndërkombëtarë, që na mbështetën e ndihmuan. Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt, e lirë dhe demokratike”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.
Kurti, në fjalimin e tij solemn përpara deputetëve për 16-vjetorin e Pavarësisë, deklaroi po ashtu se nëse Serbia do të ndjente përgjegjësi për gjenocidin që ka ushtruar në Kosovë, do të njihte Pavarësinë, që kur u shpall më 17 shkurt 2018. Përpara ambasadorëve të huaj, Kurti tha dhe njëherë se Serbia po ndjek rrugën e konfliktit me Kosovën. Ai tha se Beogradi po bën pasive adresat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Kurtin, shqiptarët në Luginë janë pakica më e diskriminuar në Europë.
“Edhe sot si çdo vit mblidhemi për të uruar ditëlindjen e Kosovës. Me 16 vitet e saj në supe, është shteti më i ri rajon, por me vetëdije të pjekur po aq sa shtetet më të vjetra se ajo. Pavarësia ishte realizim i një aspirate popullore. Kosovën e ka pjekur para kohe qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve. Kosova u bë Republikë në Kaçanik dhe u luftua me pushkë të UÇK-së. Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, Kosova fitoi simpatinë e shteteve demokratike që i dolën në krah më 1999. Më 2008 s’kishte mbetur dilemë te ndërkombëtarët se nëse Republika e Kosovës do të vinte. Por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb, që kishte dashur ta mbyste idenë e shtetit të shqiptarëve.
Të gjithë e kemi të qartë se në rast Serbia shtetërore do të ishte ndier sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo duhej ta kishte njohur Kosovën qysh më 2008. Kosova garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht te serbët. Shqiptarët në Luginë janë pakica më e diskriminuar në Evropë, që edhe sot po i nënshtrohen spastrimit, me të ashtuquajturin pasivizim të adresave. Është për keqardhje që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe bllokimit të funksionimit të brendshëm të Kosovës dhe njohjeve të jashtme”, tha Kurti përpara 67 deputetëve të pranishëm të parlamentit të Kosovës./ZËRI/