
MAQEDONI E VERIUT- Maqedonia e Veriut do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar, Talat Xhaferri, duke u bërë kështu vendi i katërt në Ballkan që ka në krye të vendin një shqiptar. Dimitar Kovaçevski ka dhënë dorëheqjen duke i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike që do të drejtohet nga Talat Xhaferri.
Por kush është Xhaferri?
I njohur si ushtaraku egocentrik i Armatës së Jugosllavisë dhe më pas Armatës së Maqedonisë, Xhaferri ka lindur më 15 prill të vitit 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit. Filloren e kreu në Çegran, fshatin fqinj, ndërsa më pas, shkoi në Beograd, ku kreu gjimnazin ushtarak. Xhaferri vazhdoi më pas karrierën e formësimit ushtarak dhe u regjistrua e studioi në Akademinë Ushtarake të Këmbësorisë, fillimisht në Beograd e më pas në Sarajevë. Karrierën e tij e ka vazhduar në disa kazerma ushtarake të asaj kohe të Armatës Popullore të Jugosllavisë.
Pas pavarësisë së Maqedonisë, Talat Xhaferri u kthye në vendlindje ku dhe u zgjodh komandant i njësiteve të këmbësorisë në kazermën e Tetovës. Më 28 prill të 2001, kur po zhvillohej konflikti i armatosur në Maqedoni mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së, Xhaferri braktis radhët e Armatës së Maqedonisë dhe kaloi në radhët e UÇK-së.
Në këtë periudhë, ai u njoh me nofkën komandant Forina. Ai ka mbrojtur dhe titullin e magjistratit të mbrojtjes, në Fakultetin filozofik në Shkup
Xhaferri iu fut dhe politikës në radhët e BDI-së. Fillimisht u zgjodh deputet, ndërsa në vitin 2008 u emëria zëvendësministër i Mbrojtjes. Në të njëjtën detyrë u riemërua dhe në vitin 2013. Së fundmi, Talat Xhaferri ka qenë dhe në krye të Parlamentit të Maqedonisë. Xhaferi është shqiptari i dytë në post pas Vullnet Starovës i cili ishte kryetar i Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë.
Kur Xhaferri u vendos në krye, në vitin 2017, parlamenti maqedonas u përfshi nga dhuna, tensionet dhe protestat. Nga 28 janari, për 100 ditë, ai do të udhëheqë Maqedoninë e Veriut, falë marrëveshjes që nënshkruan ish-kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, katër vite më parë. Pjesë e qeverisë teknike do të jetë edhe opozita maqedonase, që do të udhëheqë dy ministri si dhe do të ketë tri poste të zëvendësministrave.