
KOSOVË- Kreu i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Hardinaj deklaroi se e ka lexuar draft-statutin e propozuar nga BE për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, ndërkohë që opoziata gjatë takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak u shprehën se ka mungesë transparence.
Haradinaj gjatë një deklarate për mediat pas takimeve të Lajçak në Prishtinë, theksoi se Asocacioni është i ndërtuar në bazë të kushtetutës së republikës së Kosovës, por ai tha se komentet në lidhje me draftin do i bëjë vetëm pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“E kemi lexuar draftin në tërësi pra, drafti shpjegon të gjitha mundësitë që asociacioni iu jep komunave me shumicë serbe kuptohet çdo herë i referohet kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi por po ashtu janë plotë lehtësira që i krijohen në arsim, në shëndetësi, funksionim dhe mundësive që jep Asociacioni. Komentet tona se a pajtohemi me këtë draft do t’i bëjmë pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese për shkak se që në hyrje të dokumentit shpjegohet që drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe po ashtu të gjitha aktet tjera pra çdo herë çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga ministria e Pushtetit Lokal dhe të miratohet nga Gjykata Kushtetuese,"-u shpreh Haradinaj.
Ndërkohë liderët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit thanë se Lajçak i siguroi ata drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por që nuk e kanë parë e duke kritikuar qeverinë për mostransparencë.
Çështja e projekt-statusit të Asociacionit që është paraqitur nga diplomacia perëndimore, ishte në qendër të vizitës së paparalajmëruar në Prishtinë të të dërguarit evropian Miroslav Lajçak, i cili të hënën në mbrëmje dhe të martën u takua me përfaqësues të qeverisë, institucioneve ndërkombëtare dhe të partive opozitare. Javën e ardhshme gjithashtu pritet takimi i dytë i i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të diskutimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.