
PARIS- Italiani Gianmarco Tamberi i ka kërkuar falje gruas së tij pasi humbi unazën e martesës gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit. Sipas BBC, 32-vjeçari kampion i botës po valëvitte flamurin për Italinë, teksa anija me atletët po lundronte mbi Senë kur unaza i rrëshqiti nga gishti.
“Më fal dashuria ime, më vjen shumë keq,”- ka shkruar ai në Instagram në një postim kushtuar bashkëshortes së tij, Chiara Bontempi Tamberi.
Atleti "fajësoi" humbjen e shumë kilogramëve dhe entuziazmin e papërmbajtshëm për atë që i ndodhi.
“Nëse do të duhej të ndodhte, nëse do të më duhej ta humbja këtë unazë, nuk mund të imagjinoja një vend më të mirë,”- shkroi ai, duke pretenduar se unaza tani do të mbetej përgjithmonë në shtratin e lumit të qytetit të dashurisë.
Madje, propozoi që edhe Chiara të hidhte edhe ajo unazën e saj në lumë.
"Atëherë do të jenë bashkë përgjithmonë dhe ne do të kemi një justifikim për të rinovuar zotimet tona dhe për t'u martuar përsëri,"-shkruan ai ndër të tjera në postimin e tij.
Me humor, e shoqja i komentoi: Vetëm ti mund ta kthesh këtë gjë që ndodhi në diçka romantike.
Dyshja janë martuar që nga shtatori i vitit 2022./ZËRI