
SHBA- Djali 32-vjeçar i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu po kritikohet pasi nuk i është bashkuar forntit të parë të luftës, ndërsa 360,000 rezervistë izraelitë po luftojnë kundër Hamasit. Sipas Daily Mail, Yair Netanyahu ndodhet në Florida që nga prilli i kaluar, pasi babai i tij i kërkoi të mos bënte postime nxitëse në rrjetet sociale, për shkak të telasheve që i kishin shkaktuar atij dhe familjes së tij.
Yair, megjithatë, zgjodhi të qëndrojë në Miami, pavarësisht kohërave jashtëzakonisht të vështira që po përjeton atdheu i tij. Ky fakt ka acaruar disa ushtarë izraelitë.

"Ai po shijon jetën e tij në Miami Beach, ndërsa unë jam në vijën e parë. Ne i lëmë punët tona, familjet, fëmijët tanë, për të mbrojtur popullin dhe vendin tonë, dhe ata që janë përgjegjës për këtë situatë s'janë këtu.Vëllezërit tanë, baballarët tanë, djemtë tanë, të gjithë shkojnë në vijën e parë, por Yair nuk është këtu. Kjo nuk ndihmon aspak për të pasur besim te lidershipi i vendit,"- tha një ushtar vullnetar që shërben në frontin verior për The Times.
Një tjetër ushtar i vendosur në kufirin me Gazën shprehu gjithashtu pakënaqësinë e tij për mungesën e djalit të kryeministrit izraelit.
“Unë u ktheva nga SHBA-ja ku është puna, jeta ime, familja ime. Nuk kishte si të qëndroja atje dhe të braktisja vendin tim, popullin tim, në këtë moment kritik. Ku është djali i kryeministrit? Pse nuk është në Izrael?,"- pyet ushtari. Sipas tij, të gjithë izraelitët duhet të jenë të bashkuar dhe të pranishëm në këtë moment dhe sigurisht që nuk përjashtohet edhe djali i Netanyahut.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve kur mbushin 18 vjeç. Burrat shërbejnë për 32 muaj dhe gratë për 24. Pas kësaj, shumica mund të thirren në njësitë rezervë deri në moshën 40 vjeç, ose edhe më të vjetër në rast të një emergjence kombëtare. Në kohë lufte, ata luftojnë përkrah trupave të rregullta./Zëri.ai