
ROMË- KIEV- U bënë 929 ditë që prej sulmit të paprovokuar rus ndaj Ukrainës. Pas gjithë kësaj kohe, më në fund presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky në Forumin Ekonomik në Itali, tha se ka përgatitur një plan që do t’i jap fund luftës më shpejtë nga sa pritej.
“Ne po e zhvillojmë luftën në Rusi në mënyrë që Putini të ndjejë presion. Italia po bën gjithçka që ne të arrijmë paqen. Unë kam një plan dhe do t’ia tregoj atë Harris ose Trump, kushdo që fiton zgjedhjet”, tha Zelensky.
Por, lufta tashmë ka marrë përmasa të ashpra pasi luftimet po zhvillohen në tokën ruse. Në një video të publikuar nga CNN, të marrë nga një dron ukrainas, shfaqen disa ushtarë rusë duke ekzekutuar ushtarët e Kievit që janë dorëzuar. Vrasja e tyre ndodhi pranë qytetit të Pokrovsk, në pjesën lindore të vendit. Ndërsa, kreu i CIA-s, William Burns, u bëri thirrje liderëve perëndimorë që të mos frikësohen nga kërcënimet bërthamore të Putinit. /ZËRI