PARIS- Presidenti francez, Emmanuel Macron ka deklaruar se vendi i tij “nuk po zhvillon luftë” në Lindjen e Mesme dhe nuk do të përfshihet në konfliktin e vazhdueshëm në rajon. I pyetur nga gazetarët, Macron u shpreh se Franca nuk është pjesë e kësaj lufte.
“E kuptoj shumë mirë dhe e dëgjoj shqetësimin tuaj, por doja të isha shumë i qartë. Franca nuk është pjesë e kësaj lufte. Ne nuk jemi në luftë dhe nuk do të përfshihemi në këtë luftë”, tha Macron.
Ai theksoi se veprimet e Parisit në rajon janë të përqendruara në mbrojtjen e qytetarëve dhe aleatëve të saj dhe jo në pjesëmarrjen në konflikt.
“Franca nuk po zhvillon luftë në rajon. Ajo po mbron qytetarët francezë, aleatët e saj dhe qendron me Libanin”, shtoi presidenti i Francës.
Raportohet se Franca ka vendosur mjete shtesë ushtarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen franceze “Charles de Gaulle”, ndërsa tensionet rriten pas sulmeve izraelite dhe amerikane ndaj Iranit dhe hakmarrjes pasuese të Teheranit. Sipas Macron, vendosjet e trupave synojnë të ndihmojnë aleatët të kapin dronët dhe raketat dhe të mbrojnë rrugët detare./ZËRI