PARIS- Tensionet diplomatike mes Parisit dhe Romës kanë arritur një pikë kritike pas deklaratave të zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini në lidhje me presidentin francez Emmanuel Macron për luftën në Ukrainë.
Ministria e Jashtme franceze ka thirrur ambasadoren italiane në Paris, Emanuela D’Alessandro, duke i shpjeguar se deklaratat e Salvinit konsiderohen "të papranueshme" dhe ndodhen në kundërshtim me klimën e besimit dhe marrëdhëniet historike mes dy vendeve, veçanërisht në një moment ku bashkëpunimi për mbështetjen e Ukrainës ka qenë i fortë.
Kujtojmë se Macron deklaroi se Franca mbështet dërgimin e trupave të aleatëve në luftë në Ukrainë. Pas kësak deklarate ka ardhur reagimi i Salvinit i cili u shpreh më herët se nëse Emmanuel Macron e dëshiron kaq shumë, "ai mund të shkojë duke vënë një helmetë dhe duke marrë një pushkë".
Këto fjalë prishën më tej klimën e besimit diplomatik. Sipas AFP, ndaj ambasadores u theksua që këto komente shkelin marrëdhëniet historike të aleancës dhe vështirësojnë bashkëpunimin, sidomos në kontekstin e përpjekjeve të përbashkëta evropiane për Ukrainën./ZËRI