
SHBA- Robert J. O'Neill, një ish-marins i njësisë "Navy Seals" ka treguar së fundmi edhe për vizitën e tij të parë në Shqipërinë e vitit 1998, ku kishte ardhur me një detyrë të rëndësishme. Në një pjesë të podkastit të VladTv, O'Neill rrëfeu se në atë kohë u dërgua me mision në Shqipëri për të garantuar sigurinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë gjatë një ceremonie pasi ishte marrë një informacion për një sulm të organizuar nga "Al-Qaeda". Ai tha se Shqipëria kishte marrë edhe kërcënime pasi shumë luftëtarë të organizatës terroriste në atë kohë vepronin në Bosnje dhe Hercegovinë.
PJESË NGA INTERVISTA:
Shiko minutën e 12.10
Në vitin 1998 dërgohesh në Shqipëri?
O'Neill: Po! Sepse ishte caktimi i parë në vitin 1998. Ishim 3 anije dhe kishim bërë shumë stërvitje. Bëmë edhe atje stërvitje. Atje ishte hera e parë që dëgjova për Osama Bin Laden sepse Al Kaeda po planifikonte një sulm në Shqipëri. Kjo sepse vendi ishte shumë pranë bazës së Al-Qaeda në Bosnjë. Misioni im i parë ishte që të bëja ruajtjen në një ceremoni të Ambasadës Amerikane, të ruaja presidentin e Shqipërisë dhe disa admiralë. Al-Qaeda kërcënonte, ishte një farë loje, terroristët pëlqejnë të fusin frikë, nuk duhet të bëjnë ndonjë gjë. Mjafton të thonë që do bëjnë diçka dhe njerëzit tremben.
Por kush është Robert J. O'Neill"
Në një intervistë anonime të shkurtit 2013, O'Neill i tha Esquire se ai kishte vrarë Osama bin Laden gjatë Operacionit Neptun Spear në maj 2011. Në fund të vitit 2014, emri i O'Neill u zbulua nga ish-personel të tjerë të forcave speciale, të cilët kishin dalë kundër tij për shkak se kishte shkelur kodin e heshtjes dhe po merrte kredite për veprimet që kishin kryer me urdhër të Shtëpisë së Bardhë. Në intervistat e tjera që ka dhënë më pas me zë e figurë, O'Neill ka pohuar se ai dhe një tjetër anëtar i paidentifikuar i SEAL Team Six vunë në qoshe Bin Ladenin. Në atë moment kolegu i tij qëlloi i pari por nuk e kapi shënjestrën, ndërsa ai e vrau me dy të shtëna. Shoku i O'Neill, Matt Bissonnette pohon në "No Easy Day" se një person i paidentifikuar e ka vrarë në fakt terroristin. Një tjetër thotë se kur O'Neill mbërriti te lideri terrorist, Bin Laden tashmë kishte dhënë shpirt.
Që nga gushti 2020, qeveria federale e Shteteve të Bashkuara as nuk i kishte konfirmuar dhe as mohuar pretendimet e O'Neill, edhe pse kundëradmirali Brian L. Losey dhe Shefi i Forcave, Michael Magaraci inkurajuan të gjithë SEAL-ët që t'i binden kodit të tyre të heshtjes. As sot e kësaj dite nuk ka asnjë deklaratë që e konfirmon apo e mohon atë që thotë O'Neill, ndaj edhe deklaratat e tij për vrasjen e liderit terrorist më famëkeq në botë merren me rezerva./ZËRI