
AMAN – Presidenti francez Emanuel Macron ka takuar Mbretin Abdullah të Jordanisë, në lidhje me situatën në Gaza.
Mbreti Abdullah i tha presidentit francez Emmanuel Macron se përfundimi i luftës Izrael-Hamas është një domosdoshmëri urgjente. Ai tha se ndryshe, në Lindjen e Mesme, situata mund të degradojë.
Monarku i tha Macronit, se fuqitë e mëdha botërore duhet të ushtrojnë presion mbi Izraelin, që Tel Avivi t’i japë fund sulmeve të njëpasnjëshme në Rripin e Gazës, rajon që banohet nga 2.3 milionë njerëz.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të mërkurën se të paktën 6546 palestinezë, përfshirë 2704 fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite, që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit.
Macron, i cili mbërriti në Aman pasi zhvilloi bisedime të martën me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë, diskutoi me Abdullah, mënyrat për t'i dhënë fund konfliktit. Pas takimit, Macron, në një postim në rrjetet sociale, shprehet se një zgjidhje e qëndrueshme për të dyja palët, është e mundshme.
Fuqitë botërore thonë se mbështesin “zgjidhjen me dy shtete" të pavarësisë palestineze në territoret e pushtuara nga Izraeli. Megjithatë, negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA për këtë qëllim janë ngrirë për gati një dekadë dhe dhuna në rajon vazhdon të jetë e pranishme.
Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 7200 njerëz vdiqën, nga sulmet e dy palëve. /Zëri.ai/