
ROMË- Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar veprimet e gjykatave italiane për të transferuar në qendrat pritëse në Gjadër emigrantët që kanë kryer krime në vend. Qendrat në Gjadër ishin planifikuar për të strehuar emigrantët e paligjshëm në brigjet e Italisë dhe do të qëndronin aty deri sa të vendosej për transferimin e tyre.
“Ne kemi vendosur t’i përdorim qendrat e ndërtuara në Shqipëri si CPR të zakonshme, kështu që kemi filluar të transferojmë emigrantët e parregullt që presin riatdhesimin. Pas këtij dispozite të re, disa gjykata duket se po urdhërojnë ritransferimin në Itali, ku emigranti bën një kërkesë për mbrojtje ndërkombëtare edhe kur kjo është qartësisht e pabazuar. Nuk dua të krijoj polemika, por ndihem e detyruar të ndaj me ju kurrikulën e këtyre personave të cilëve duhet të shqyrtojmë dhënien e mbrojtjes ndërkombëtare. Pothuajse të gjithë emigrantët e transferuar në Shqipëri kanë kryer krime shumë të rënda, duke përfshirë vjedhje, grabitje, posedim të paligjshëm të armëve, tentativë vrasjeje, dhunë seksuale, akte të turpshme me një të mitur. Disa njerëz duan t’i mbajnë këta njerëz në Itali me çdo kusht, por ne duam t’i riatdhesojmë ata”, tha Meloni.
Ajo shtoi se deri në fund të kësaj jave më shumë se 25% e migrantëve të transferuar në Shqipëri do të dërgohen në vendet e tyre të origjinës.
“Deri në fund të kësaj jave, mbi 25% e emigrantëve të mbajtur në Shqipëri do të jenë riatdhesuar në një kohë shumë të shkurtër, duke demonstruar se si po funksionojnë strategjia dhe procedurat që kemi zbatuar, pavarësisht përpjekjeve për t’i bllokuar ato për arsye qartësisht ideologjike. Ne duam një Itali që më në fund është e aftë të zbatojë rregullat, të jetë e pakompromis me ata që kryejnë krime dhe të mbrojë sigurinë e qytetarëve të ndershëm”, tha Meloni./ZËRI