
SHBA- Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, duke folur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në SHBA, ka paralajmëruar Izraelin se situata në Lindjen e Mesme mund të dalë jashtë kontrollit, nëse nuk ndalohen sulmet në Gaza.
Ai tha se SHBA është bashkëfajtore për situatën, për shkak se ka furnizuar Tel Avivin me armë. Abdollahian u shpreh se Amerika po i fryn një zjarri, që mund edhe ta djegë.
"Nëse gjenocidi në Gaza vazhdon, Shtetet e Bashkuara nuk do të kursehen nga ky zjarr. Azia Perëndimore është rajoni ynë. Ne nuk bëjmë kompromis me asnjë palë dhe nuk kemi asnjë rezervë, kur bëhet fjalë për sigurinë e vendit sonë”, tha ministri i Jashtëm iranian.
Ai nënvizoi se ‘gjenocidi’ dhe zhvendosja e detyruar në enklavën palestineze duhet të ndalet menjëherë.
“E gjithë toka e Palestinës, u përket vetëm palestinezëve, duke përfshirë të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët”, shtoi ministri i Iranit.
Ndërsa, ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Gilad Erdan, tha në OKB se lufta në Lindjen e Mesme nuk ka të bëjë me palestinezët, por është kundër Hamasit.
Edhe shtetet e tjera në rajon, por edhe fuqitë e mëdha, janë përfshirë në situatën në Lindjen e Mesme. Hamasi sulmoi Izraelin, ndërsa përgjigja ishte e menjëhershme. Më tepër se 8500 njerëz kanë vdekur, nga sulmet e përgjakshme të të dyja palëve./Zëri.ai/