
TAJLANDË- Gjashtë persona u gjetën të vdekur në dhomën e një hoteli luksoz në Bangkok të Tajlandës. Viktimat janë 3 burra dhe 3 gra. Ngjarja është shënuar në hotelin Grand Hyatt Erawan dhe u gjetën nga një punonjës i këtij hoteli.
Viktimat janë vietnamezë dhe dy prej tyre kishin nënshtetësi amerikane. Për rastin ka reaguar vetë Kryeministri tajlandez, i cili ka kërkuar që të hetohen shkaqet.
Sipas policisë, besohet se viktimat kishin humbur jetën të paktën 24 orë përpara se të gjendeshin. Shkaku i vdekjes është i paqartë. Deri më tani nuk ka shenja që sugjerojnë për grabitje. Por besohet se vdekja mund të jetë shkaktuar nga helmimi me ndonjë produkt konsumi.
Policia tha se ushqimi ishte i paprekur, por 6 gotat ishin përdorur. Megjithatë, hetuesit kanë deklaruar të bindur se ngjarja nuk është vetëvrasje, por vrasje.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se njëri nga viktimat kishte rezervuar në hotel për 7 persona. Por si përfundim u regjistruan vetëm 5. Ndërsa personi i gjashtë që u gjet gjithashtu i vdekur, nuk ishte regjistruar gjatë qëndrimit në hotel. Në kërkim është shpallur personi i 7, për të cilin po punohet për identifikimin e tij.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se ishte “në dijeni të raporteve për vdekjen e dy shtetasve amerikanë në Bangkok”.
“I shprehim ngushëllimet tona të sinqerta familjeve për humbjen e tyre. Ne jemi duke monitoruar nga afër situatën dhe jemi të gatshëm t'u ofrojmë ndihmë konsullore atyre familjeve", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në një konferencë të martën.
“Sa herë që një qytetar amerikan vdes në një vend të huaj, autoritetet lokale janë përgjegjëse për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Ne i drejtohemi shpesh autoriteteve lokale për të komunikuar me ta kur kjo përfshin vdekjen e një qytetari amerikan dhe sigurisht që do ta bëjmë këtë edhe te ky rast", tha Miller./ZËRI