
MEKSIKË- Autoritetet meksikane po përpiqen të përcaktojnë motivin pas vrasjes së një influenceres 23-vjeçare të TikTok-ut. Valeria Marquez u vra të martën pasdite nga një person i armatosur brenda një sallon bukurie që ajo zotëronte. E reja ishte live në rrjetet sociale, ku ajo kishte mbi 100,000 ndjekës, në momentin kur u ekzekutua.
"Je ti Valeria?" "Je ti Valeria?,"- e pyet vrasësi me një ton që tingëllon si një burrë i gëzuar dhe miqësor jashtë ekranit. "Po," përgjigjet gruaja e re, duke parë bashkëbiseduesin e saj, i cili duket gjithnjë e më nervoz. Disa sekonda më vonë ajo rrëzohet, e goditur nga plumbat - tre të tillë. Pastaj, një dorë burri ndërpret transmetimin.
VIDEOJA E VRASJES:
Por ajo që është e çuditshme është biseda e Marquez me punonjësen e saj para vrasjes.
Duke biseduar me të jashtë kameras, gruaja e re duket mjaft e befasuar që një person dëshiron t'i dorëzojë personalisht një dhuratë, pa e ditur se "dhurata" do të ishte vrasja e saj.
"A duan të më rrëmbejnë, apo jo?,"- pyet veten ajo, me një ton midis ironisë dhe shqetësimit, duke shtuar "ndoshta po vijnë të më vrasin..."!
Nën hetim është marrëdhënia me ish-partnerin e saj, i cili dyshohet se i përket Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (JNGC) - një skenar që e kishin raportuar mediat meksikane. Dje, fqinjët i thanë një korrespondenti të AFP-së se nuk kanë prova për të mbështetur raportet e shtypit se e reja ishte e lidhur me një antar të bandave kriminale.
"Ajo vinte gjithmonë vetëm. Nuk kemi dëgjuar asgjë,"- tha një kamerier, i cili kërkoi të mos identifikohej. Edhe, Valeria Márquez nuk kishte raportuar kurrë se kishte marrë kërcënime.
Ajo ishte fotografuar në makina, në jahte, në një avion privat. Në gusht, hapi sallonin e saj të bukurisë "Blossom" në Zapopan, një komunitet i pasur, por i prekur nga dhuna e bandave kriminale, jo shumë larg Guadalajarës. Disa persona të tjerë me ndikim janë vrarë gjithashtu në Meksikë, në raste që përgjithësisht besohet se lidhen me krimin e organizuar. Sipas David Saucedo, një ekspert i sigurisë në Meksikë, disa ndikues të rrjeteve sociale janë bërë "ingranazhe në strukturat e krimit të organizuar".
Por çfarë është JNGC?
JNGX, e cila merret kryesisht me trafik droge, është midis tetë bandave latino-amerikane - që u shtuan në listën e zezë të organizatave "terroriste" këtë vit nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump./ZËRI