
GREQI- Gjasat janë që marrëdhëniet diplomatike mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë të jenë të tensionuara gjatë mandatit qeverisës të partisë opozitare VMRO-DPME, e cila ia doli që të fitonte votën për të qeverisur RMV-në. Gjatë një interviste kreu i qeverisë greke Kyriakos Mitsotakis i dërgoi një mesazh të rreptë dhe të qartë udhëheqjes së re politike të Maqedonisë së Veriut, duke thënë se “do të kemi probleme nëse ajo që është dëgjuar para zgjedhjeve do të dëgjohet edhe pas zgjedhjeve”.
“Po i shikoj me shqetësim disa nga deklaratat e zyrtarëve të VMRO-së dhe do të pres qëndrimin zyrtar të ushtruesit të detyrës së kryeministrit për të parë se si do t'i referohet emrit të vendit të tij. Unë personalisht nuk jam pajtuar me Marrëveshjen e Prespës. Por unë e pranova marrëveshjen në kuadrin e vazhdimësisë së shtetit dhe e kuptova se, pavarësisht mosmarrëveshjes sime, duhej ta respektoja. Të njëjtat kërkesa ekzistojnë edhe tani nga lidershipi i Maqedonisë së Veriut. Unë dua të shpresoj që ajo që është dëgjuar para zgjedhjeve nuk do të dëgjohet pas zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, do të kemi problem”, tha ai./ZËRI