
ITALI- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një 50-vjeçar ka vrarë babanë, fqinjën dhe më pas ka plagosur rëndë veten, pasi refuzoi që të dorëzohej në polici. Ngjarja e rëndë ndodhi në San Candido, ku pasi vrau babain e tij 90-vjeçar dhe fqinjen e tij, autori i krimi Ewald Kühbacher u mbyll në banesën e tij dhe qëlloi në drejtim të policisë.
Por në momentin që forcat speciale do të bastisnin shtëpinë e 50-vjeçarit, ai ktheu armën nga vetja dhe u plagos rëndë me plumb në fyt.
Fillimisht u raportua se ai ishte qëlluar nga policia, por më pas u mësua se 50-vjeçari kishte hapur zjarr ndaj forcave speciale, të cilat nuk i ishin kundërpërgjigjur.
Më pas, ishte zhvendosur në një nga dhomat e tjera të banesës duke qëlluar veten me plumb në fyt dhe raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë.
Sipas mediave italiane, ai ka marrë armën e babait të tij, Hermann dhe ka hapur zjarr ndaj fqinjes, e cila u qëllua në shkallët e banesës. Më pas ka vrarë të atin e tij, dhe bëri rezistencë ndaj policisë. Karabinierët rrethuan për orë me radhë zonën ku gjendej banesa e autorit, ndërsa iu bënë thirrje qytetarëve që të shmangnin lëvizjet e panevojshme në zonë, pasi tragjedia mund të merrte përmasa më të rënda. Nuk dihen ende shkaqet që kanë shtyrë 50-vjeçarin drejt krimit të dyfishtë, dhe në rast se i mbijeton plagosjes ai do të përballet me akuza të rënda./ZËRI