Bota

Nafta dhe aeroportet! Çfarë po përjeton bota pas sulmeve në Iran, preket edhe Shqipëria

Çmimet e naftës mund të tejkalojnë 90-100 dollarë për fuçi.

F.I
Nafta dhe aeroportet! Çfarë po përjeton bota pas sulmeve
FOTO ILUSTRUESE

IRAN-Pas sulmeve të fundit ushtarake në Iran nga forcat e SHBA-së dhe Izraelit,  përfshirë vdekjen e liderit suprem të vendit, Ali Khamenei, bota po përjeton një situatë shumë të tensionuar, komplekse dhe serioze, me pasoja politike, humanitare dhe diplomatike.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli argumentojnë se sulmet ishin të nevojshme për të parandaluar kërcënimin bërthamor nga Irani dhe për të mbrojtur aleatët e tyre. Shtete të tjera perëndimore, si Francë, Gjermani dhe Britani, janë shprehur kritikë ndaj përshkallëzimit por edhe kundër sulmeve iraniane në vendet e gjera të Gjirit Persik. Ata kanë kërkuar zgjidhje diplomatike dhe ndërprerjen e ofensivës së dhunshme.

Por konflikti në Lindjen e Mesme po përcjell efekte të drejtpërdrejta e të tërthorta në tregjet globale.

Me Iranin që mbylli ngushticën e Hormuzit pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çmimi i naftës së papërpunuar bruto në tregje po rritet. Nga rreth 65 dollarë më 25 shkurt, një fuçi naftë po kushton më shumë se 67 dollarë.  Të paktën 150 anije cisternë, që transportojnë naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, kanë hedhur spirancën në ujërat e hapura të Gjirit, përtej Ngushticës së Hormuzit.

Bllokimi i furnizimit lidhet kryesisht me rrezikun në Strait of Hormuz, një nga kanalet më të rëndësishme të transportit të naftës — rreth 20% e naftës globale kalon aty. Nëse rruga bllokohet apo pengohet seriozisht, çmimet mund të tejkalojnë 90-100 dollarë për fuçi.

Ndikimi në Shqipëri

Konflikti në Lindjen e Mesme pritet të përcjellë efekte ekonomike edhe në Shqipëri. Kjo kryesisht nga Izraeli, vend nga i cili Shqipëria importoi mallra me vlerë 27.7 milionë euro vjet, shifër kjo e përgjysmuar në raport me 2024-n. Nga ana tjetër Shqipëria ka pak marrëdhënie tregtare me Iranin, vend nga i cili shifrat e importeve nuk e kanë kaluar shifrën e 4 milionë eurove në 3 vitet e fundit. 

Mbi 5 mijë fluturime u anuluan brenda 24 orësh

Sulmi i Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, dhe reagimi i Teheranit, po shkakton ndërprerjen më të madhe globale të transportit ajror. Dubai dhe Doha, dy nga nyjet më të mëdha të trafikut ndërkontinental, u ndalën pothuajse plotësisht. Në mesditën e 1 marsit, rezultonin 3.500 fluturime të anuluara nga 4.329 të planifikuara në vendet e Lindjes së Mesme.

Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka njoftuar ndërprerjen e përkohshme të fluturimeve drejt Tel Avivit dhe Dubait, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe mbylljes së disa hapësirave ajrore në rajon.

Përmes një komunikate zyrtare, autoritetet e aeroportit bëjnë me dije se pezullimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të vijojë deri në një njoftim të dytë, në varësi të zhvillimeve të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB