ITALI- Zgjedhjet europiane të së dielës, kanë konfirmuar Fratelli d’Italia si partinë kryesore në Itali, duke tejkaluar rezultatin që kanë pasur në zgjedhjet e fundit politike. Partia e Melonit ka marrë 29% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike që ka marrë pak më shumë se 24%.
Kryeministrja Giorgia Meloni nuk e ka fshehur gëzimin e saj, teksa ka pubikuar një foto në rrjetet sociale, teksa bën me dorë shenjën e fitores.
“Na panë dhe e dinin që do të fitonim, por nuk na penguan dot”, u shpreh kryeministrja Giorgia Meloni, e cila e përkufizoi këtë si “natën më të bukur të politikës”. Për Elly Schlein, është një “rezultat i jashtëzakonshëm”.
Giuseppe Conte i “5 yjeve” si dhe përfaqësuesit e Lega-s kanë sulmuar dhe kanë quajtur “tradhtar” Antonio Tajanin e Forza Italia, që ka arritur të marrë 10 % të mbështetjes popullore. Ish-kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte mori rezultat zhgënjyes, afërsisht 10% të votave italiane.
Me entuziazëm e ka pritur rezultatin e Forza Italia, kreu i saj Antonio Tajani, i cili tha se partia që drejton ka vazhduar që të rritet në krahasim me zgjedhjet e fundit.
“Një rezultat i jashtëzakonshëm, Forza Italia rritet në krahasim me të gjitha zgjedhjet e fundit. Një fitore që ia kushtojmë Presidentit Silvio Berlusconi, të gjithë atyre që nuk kanë reshtur kurrë së besuari në flamurin tonë. Nga sonte qendra e djathtë dhe PPE janë më të fortë”, ka deklaruar në rrjetet sociale Tajani partia e të cilit arriti 10% në këto zgjedhje.
Qendra e majtë ia doli mirë në disa qytete, nga Bari në Perugia, nga Firence në Bergamo. Në Piemonte Alberto Cirio (qendër-djathtas) është mbi 50%, Gianna Pentenero (qendër-majtas) midis 34-38.
I zhgënjyer është ish-kryeministri italian Matteo Renzi, pas rezultatit. Me një postim të gjatë në X, Matteo Renzi komenton votën europiane. Një mesazh që fillon me fjalët: “ka shkuar keq”. Lista e Shteteve të Bashkuara të Europës (Italia Viva con + Europa) mbeti jashtë Parlamentit Evropian. Renzi sulmon Calenda e Azione në këtë pikë: “Prishja absurde e Polit të Tretë rëndon mbi rezultatin italian. Mund të kishim shtatë eurodeputetë reformistë bashkë. Dhe në vend të kësaj, zero. Çfarë çmendurie”.