
SPANJË- Një blackout masiv ka goditur të gjithë Spanjën, Portugalinë dhe një pjesë të Francës prej orës 12:30. Si pasojë e blackout, i cili ende po vazhdon, janë prekur rreth 60 milionë banorë. Ndërsa, ende nuk ka një sqarim nga qeveritë në vend, ky blackout njihet edhe si më i rëndi në historinë e Spanjës dhe Portugalisë.
Qeveria e Madridit dhe ajo e Lisbonës po zhvillon një mbledhje në selinë e Red Eléctrica dhe në rezidencën e kryeministrit për të koordinuar përgjigjen ndaj blackout-it. Edhe Bashkimi Evropian është në kontakt me Spanjën për të përcaktuar shkaqet e ndodhjes. Red Eléctrica deklaroi se mund të duhen deri në 6-10 orë për rikthimin në normalitet.
Paraliza dhe kaosi në transport dhe linjat e komunikimit
Pasojat ishin të menjëhershme dhe shumë të rënda. Linjat telefonike janë ndërprerë në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë. Sistemi hekurudhor është paralizuar, rrjeti kombëtar spanjoll njoftoi se të gjithë trenat janë ndalur në stacione dhe nuk ka nisje. Janë prekur gjithashtu aeroportet e Barajas në Madrid dhe ai i Lisbonës në Portugali, metrotë e Madridit dhe Barcelonës janë ndalur.
Po ashtu, trafiku në kryeqytet ka shkaktuar një kaos, ndërsa shqetësime të mëdha janë raportuar në Sevilje, Barcelonë, Valencia, Pamplona dhe në pjesën tjetër të vendit. Autoriteti spanjoll i trafikut i ka bërë thirrje qytetarëve të mos përdorin automjetet përveç rasteve të domosdoshme.
Për shkak të blackout, mijëra njerëz janë bllokuar në tunele dhe ashensorë, teksa është kërkuar edhe ndërhyrja e ushtrisë. Ministria e Brendshme spanjolle ka ngritur një ekip krize me prioritet evakuimin e njerëzve të bllokuar në metrotë dhe trenat, shumica e të cilëve në tunele, si dhe në ashensorët e ndërtesave publike dhe private.
Spitalet në Komunitetin e Madridit raportojnë se po vazhdojnë të funksionojnë normalisht, por vetëm falë gjeneratorëve të energjisë. Aktivitetet e zakonshme spitalore janë pezulluar aty ku është e nevojshme. Pesë centralet bërthamore të Spanjës kanë ndalur prodhimin e energjisë për arsye sigurie; impiantet po përdorin gjeneratorë për të mbajtur aktivizuar sistemet e brendshme të sigurisë, që duhet të jenë gjithmonë funksionale.
Presidentja e Komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, i ka kërkuar kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez të aktivizojë nivelin e emergjencës 3, në mënyrë që ushtria të mund të ruajë rendin, nëse do të jetë e nevojshme.
Përpjekjet për rikthimin e rrjetit në Spanjë dhe Francë
Rreth orës 13:40, Red Eléctrica njoftoi se kishte nisur rikthimin e furnizimit me energji nga veriu dhe jugu i Gadishullit Iberik. Sipas gazetës portugeze Expresso, operatori portugez i rrjetit, E-Redes, deklaroi se ndërprerja e energjisë u shkaktua nga një problem me sistemin elektrik evropian, dhe se ishin detyruar të ndërprisnin energjinë në zona të caktuara për të stabilizuar rrjetin. Në Francë, zonat ku ishte ndërprerë energjia u kthyen në normalitet pak pas orës 14:10.
Hipoteza e një sulmi kibernetik
Instituti Kombëtar Spanjoll për Sigurinë Kibernetike (Incibe) po vlerëson situatën për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një sulm informatik. Edhe ministri portugez për Kohezionin Territorial, Manuel Castro nuk e ka përjashtuar një sulm kibernetik: Kjo mundësi ekziston, por nuk është konfirmuar. Për momentin, nuk ka asnjë konfirmim në këtë drejtim.
Situata në Itali dhe për qytetarët italianë
Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani – i cili ndodhet aktualisht në Valencia të Spanjës për një takim me sipërmarrës italianë dhe për kongresin e PPE-së – ka bërë të ditur se është në kontakt me ambasadorin italian dhe me konsullatat në Madrid dhe Barcelonë për të ndjekur situatën.
“Qytetarët italianë janë kontaktuar nga konsullatat dhe nga Njësia e Krizave në Romë përmes mesazheve që mund të mos kenë mbërritur ende në telefonat celularë”, njoftoi Ministria e Jashtme.
Ndërkohë, kompania italiane që menaxhon rrjetin kombëtar, Terna, bëri të ditur se aktualisht nuk ka asnjë problematikë operative në rrjetin italian të transmetimit të energjisë./ZËRI