PRISHTINË- Një akt në dukje fëmijënor ka shkaktuar reagime në Kosovë. Statuja e heroit kombëtar, Gjergji Kastrioti Skënderbeu është lyer me bojë. Siç edhe duket nga fotot që po bëjnë xhiron e rrjetit, person ose persona të paidentifikuar kanë lyer përkrenaren dhe shpatën e heroit me ngjyrë floriri. Pasi u evidentua ajo që ka ndodhur, ka ardhur një reagim nga shoqata “Trojet e Arbrit”, e cila e ka cilësuar si “sulm të shëmtuar” ndaj figurës më të rëndësishme historike shqiptare.
“Shoqata “Trojet e Arbrit“ fton policinë e Republikës së Kosovës dhe prokurorinë që të merr masa shumë të shpejta sa nuk është bërë vonë dhe ta bëj burgosjen e sjelljen para drejtësisë të personave që e kryen këtë akt të shëmtuar.Pas bërjes publike të Shoqatës “Trojet e Arbrit“ për një demostratë gjithëshqiptare më 28 nëntor 2025, në qytetin e Prizrenit për neglizhimin dhe mosdhënien e lejes për Muranën e Gjergj Kastriotit në Prizren,tash qarqët antishqiptare kanë filluar atakimin e drejtëpërdrejt të Monumentit të Gjergj Kastriotit në Prizren”, thuhet në reagim.
Por deri më tani, duket se "fajtorët" nuk janë gjetur.
Shtatorja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut u vendos në Prizren më 28 Nëntor 2020. Data përkonte me 577-vjetorin e ditës kur Skëndërbeu ngriti flamurin shqiptar në kalanë e Krujës, ku dhe shpalli për herë të parë Pavarësinë e Shqipërisë./ZËRI