
PRISHTINË - Ish-drejtori i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Nexhat Krasniqi, i përfshirë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, është larguar nga shërbimi civil. Vendimi është marrë nga Komisioni Disiplinor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku ai punonte.
Krasniqi ishte dërguar në Komisionin Disiplinor të MMPH-së, pasditen e së hënës. Baza kryesore ligjore që është përdorur për rastin e tij është Ligji i ri për zyrtarët publikë. DASH e ka vendosur non grata Nexhat Krasniqin, për shkak të përfshirjes së tij në raste të korrupsionit.
Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, atij nuk i lejohet të hyjë në territorin e SHBA-ve. “Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, thuhej në njoftim. Të sanksionuar janë edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi, të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA, raporton Rel.
Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim, pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas. Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj, që në atë kohë ishte zyrtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar e kishin marrë ryshfet, duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.
Parku i Biznesit – ku për dhënien e lejes së ndërtimit u sanksionua Krasniqi – është krijuar më 2010. Sipas ueb-faqes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërtimin e saj ka investuar edhe kjo ministri. Aktualisht, aty thuhet se janë të vendosura 41 biznese të sektorëve të ndryshëm./Zëri.ai/