
SHBA – Avokati i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Rudy Giuliani mbërriti pak me vonesë në sallën e gjyqit federal të Uashington DC, ku një padi për shpifje kërkon ta detyrojë atë të paguajë dhjetëra miliona dollarë dëmshpërblim për dy punonjës të zgjedhjeve, pasi bëri deklarata të rreme nxitëse për ta pas zgjedhjeve të vitit 2020.
Ruby Freedman dhe vajza e saj Shaye Moss, dy punonjëset e zgjedhjeve në Georgia thanë se u përballën me kërcënime me vdekje, për shkak të pretendimeve të Giulianit. Giuliani tashmë ka pranuar se ka bërë deklarata shpifëse dhe gjykatësi i qarkut amerikan Beryl Houell, i cili po mbikëqyr çështjen, e ka shpallur tashmë atë përgjegjës për shpifje, kështu që gjyqi njëjavor i jurisë do të fokusohet në atë se çfarë dënimi duhet të paguajë. Freeman dhe Moss po kërkojnë nga 15 deri në 43.5 milionë dollarë dëmshpërblim.
Rasti është domethënës sepse është një nga përpjekjet më ‘agresive’ dhe më të avancuara për të marrë përgjegjësi nga aleatët e Donald Trump, që përhapin gënjeshtra për zgjedhjet, si pjesë e përpjekjeve të ish-presidentit për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Është një nga disa rastet, që testojnë nëse ligji për shpifjen mund të përdoret si një mjet i ri për të luftuar dezinformimin. Giuliani gjithashtu përballet me akuza penale në Georgia, si pjesë e çështjes së gjerë atje mbi përpjekjet e Trump për të kthyer rezultatin në favor të tij.
I paraqitur në gjykatë të hënën, Giuliani nuk pranoi të komentojë mbi rastin. Por ai tha se ai dhe ekipi i tij kishin disa surpriza për rastin dhe nuk pranoi të thoshte më shumë. Giuliani shpërndau të dhëna të rreme për zgjedhjet e 2020 në Georgia. Freeman dhe Moss thonë se ata u bënë objekt i sulmeve të egra verbale. Ata u përballën me kërcënime me vdekje dhe disa persona shkuan në shtëpinë e Freeman për ‘frikësim’.
Freeman i tha komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi sulmin e 6 janarit se ajo kishte frikë të thoshte emrin e saj në publik. Natën e zgjedhjeve në 2020, ajo kishte veshur një këmishë që shpallte me krenari emrin e saj, por tani ajo ka frikë ta veshë këmishën në publik. “Nuk do të prezantohem më me emrin tim. Bëhem nervoze kur përplasem me dikë që njoh në dyqanin ushqimor e që thotë emrin tim. Unë jam e shqetësuar për njerëzit që më dëgjojnë. Bëhem nervoze kur më duhet të jap emrin tim kur porosis ushqimin. Unë jam gjithmonë e shqetësuar se kush është rreth meje", i tha ajo gjykatësve.
“Nuk ndihem askund e sigurt. A e dini sesi ndiheni kur presidenti i Shteteve të Bashkuara ju shënjestron juve?”, tha ajo. Moss i tha Reuters në vitin 2021 se ajo vuante nga ankthi dhe depresioni dhe djali i saj filloi të merrte kërcënime me vdekje e filloi të kishte rezultate të dobëta në shkollë. Të dyja gratë nuk kanë folur shumë publikisht që nga zgjedhjet e vitit 2020, por pritet të jenë dëshmitare këtë javë.
Giuliani tashmë ka pranuar se ka bërë deklarata të rreme për Freeman dhe Moss. Por ai argumenton se nuk mban përgjegjësi për dëmin që kanë pësuar, si pasojë e deklaratave të tij të rreme. “Rudy Giuliani që shihni sot është i njëjti njeri që rrëzoi mafian, pastroi qytetin e Nju Jorkut dhe ngushëlloi kombin pas 11 shtatorit. Ai ktheu besimin se Amerika mund të bëhet sërish e madhe dhe të kthehet në qendër të skenës politike botërore", tha Ted Goodman, një këshilltar politik i Giulianit, në një deklaratë. "Unë u bëj thirrje anëtarëve të komunitetit ligjor dhe të gjithë amerikanëve - në të gjithë spektrin politik - të ngrihen dhe të flasin kundër sistemit tonë të drejtësisë, që shënjeshtron politikanë të caktuar”, shtoi ai.
Giuliani tashmë është sanksionuar me më shumë se 200,000 dollarë për refuzimin e dorëzimit të dokumenteve, si pjesë e padisë. Howell, gjykatësi, qortoi gjithashtu avokatin e Giuliani javën e kaluar, pasi vetë Giuliani nuk u paraqit në një seancë dëgjimore. Giuliani gjithashtu pritet të dëshmojë gjatë gjyqit dhe avokati i tij tregoi javën e kaluar se ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut nuk planifikon të kërkojë të drejtat e tij të amendamentit të pestë, gjatë procesit.
Padia origjinale, e paraqitur në dhjetor 2021, kërkoi dëmshpërblim si nga Giuliani ashtu edhe nga One America News, kanali i ekstremit të djathtë që përhapi dezinformata të panumërta pas zgjedhjeve të 2020. Ndërsa kushtet e marrëveshjes nuk janë zbuluar publikisht, rrjeti pranoi në transmetim menjëherë pas kësaj se nuk kishte asnjë mashtrim të gjerë të votuesve në Georgia në 2020./ZËRI/