KOSOVË- Gjatë një operacioni të zhvilluar në Zubin Potok, nëntë persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile, thanë autoritetet mëngjesin e së dielës. Operacioni ndërlidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Operacioni nxiti reagime të ashpra nga Lista Serbe dhe Serbia. Prokuroria Speciale e Kosovës më vonë gjatë së dielës tha se të nëntë personat, me vendim të saj, janë ndaluar për 48 orë.
Ajo identifikoi të arrestuarit vetëm me iniciale: D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R dhe D.D, teksa listoi edhe se çfarë u sekuestrua si prova materiale gjatë kontrolleve në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut. Si prova, tha Prokuroria, u sekuestruan telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë dhe një pushkë gjuetie, fishekë, katër predha, para të gatshme në vlerë prej 23 mijë eurosh dhe para të gatshme në vlerë pre rreth 60 mijë dinarësh serbë (rreth 500 euro).
Operacioni, i koduar “Dosja 23” u realizua në orët e hershme të mëngjesit të 27 shtatorit në Zubin Potok, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ai u krye nga Policia e Kosovës,me urdhër të Prokurorisë Speciale, dhe vjen pasi më 19 shtator u konfirmua, përmes analizës së ADN-së, se mbetjet mortore të tri viktimave të gjetura në varrezat masive në Zubin Potok, i përkisnin “Grupit të Intelektualëve”. Më vonë, familjarët konfirmuan se njëri nga viktimat e identifikuara ishte Idriz Rrecaj.
Lista Serbe dhe Serbia reagojnë ashpër për arrestimet
Lidhur me arrestimet në komunën e Zubin Potokut ka reaguar Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit. Në reagimin e kësaj partie lidhur me arrestimet u tha se në veri të Kosovë ka “frikë, shqetësim dhe pasiguri”.
“Ky nuk është një proces ligjor, me respekt të plotë për prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për mbrojtje, por hakmarrje dhe mënyra e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit për përndjekjen e serbëve. Fakt është se serbët në Zubin Potok muajt e fundit janë nën një terror të tmerrshëm që të kujton një pushtim”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Aty thuhet po ashtu se publikut nuk i janë paraqitur konkrete që do ta “justifikonin këtë trajtim ndaj familjeve të tëra dhe komuniteteve lokale”. Nga Lista Serbe kërkuan që të arrestuarve t’u sigurohet kontakt i papenguar me avokatët dhe familjet, si dhe që procesi të mos jetë i ndikuar nga presioni politik.
Reagime pati edhe në Serbi. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi arrestimin e serbëve në Zubin Potok si “metodën më perfide të spastrimit etnik”.
“Po dëgjoj se Kurti dhe njësitë e tij speciale kanë arrestuar sërish serbë, nëntë prej tyre, në komunën e Zubin Potokut, për krime të dyshuara lufte. Dhe e gjithë kjo do të heshtet nga bota, dhe do të bëhen sikur nuk dinë, sikur nuk e dinë se bëhet fjalë për metodën më perfide dhe më të paskrupullt të spastrimit etnik”, tha Vuçiq për transmetuesin publik serb.
Ai shtoi se Serbia ka angazhuar avokatë dhe se është në kontakt me familjet e serbëve të arrestuar. Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe po ashtu pretendoi se operacione të tilla policore synojnë “dëbimin” dhe “frikësimin” e serbëve në Kosovë, duke shtuar se nëntë të arrestuarit janë serbë dhe operacioni u krye në pesë fshatra të Zubin Potokut.
Sipas këtij institucioni të Qeverisë serbe, Policia e kreu operacionin në orën 06:00 në fshatrat Dren, Kalludër, Bregu i Madh, Crepulë dhe Uglarë. Kjo zyrë pretendoi se në mesin e të arrestuarve është edhe një 90-vjeçar.
“Të arrestuar janë edhe të afërm të serbëve që tashmë kanë qenë cak i Prishtinës”, pretendoi Zyra e Qeverisë serbe, e cila shtoi se të arrestuarit kanë jetuar në Zubin Potok për më shumë se dy dekada.
“Arrestimet masive janë bërë metoda e re e Prishtinës për hakmarrje ndaj serbëve, ndërsa zbulimet e fundit në Zubin Potok, Prishtina i përdor si pretekst për stigmatizimin dhe gjuetinë e të gjithë serbëve të mbetur”, u tha në njoftimin e Zyrës, ku u shtua se me arrestimet e reja “Kurti dëshiron të zhvillojë edhe një fushatë politike, përmes së cilës synon të largojë vëmendjen e opinionit publik në Prishtinë nga aktakuzat e Hagës ndaj drejtuesve të UÇK-së”.
Ndryshe, “Grupi i Intelektualëve” përbëhej kryesisht nga qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të cilët, sipas autoriteteve në Kosovë, ishin rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999 nga forcat serbe. Në mesin e 23 personave të këtij grupi shqiptarësh kishte veprimtarë, profesionistë dhe figura publike nga zona e Mitrovicës, të cilët u zhdukën në zonën e Zubin Potokut.
Në gusht të këtij viti, autoritetet kryen gërmime në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut ku zbuluan tri varreza masive dhe u gjetën mbetjet mortore të të paktën 23 persona. Më pas, mostrat e mbetjeve të mortore u dërguan në Hagë të Holandës për identifikim përmes ADN-së. Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pritet që në “javët në vijim” Kosova të pranojë rezultatet edhe për mostrat e tjera që u dërguan në Hagë për ekzaminim.
Varrezat në Zubin Potok u zbuluan pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte, sipas Prokurorisë Speciale. Paraprakisht për këtë rast janë arrestuar katër persona, të identifikuar me iniciale J.R., M.J., R.K dhe M.B., të cilët janë të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Që të katër ndodhen në paraburgim.
Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave. Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.
Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme./REL