
SHBA- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara bëri një deklaratë të fortë ku kërcënoi Iranin për sulm bërthamor. Lidhur me këtë ka reaguar menjëherë zyra e tij e shtypit, e cila ka sqaruar se nuk kemi të bëjmë me një kërcënim por se kryeministrit i ka “rrëshqitur goja”.
“Mbi të gjitha, Irani duhet patjetër të përballet me kërcënim të besueshëm bërthamor. Sa të jem unë kryeministër i Izraelit, do të bëj gjithçka në fuqinë time për të mos e lejuar Iranin të ketë armë bërthamore”, tha Netanyahu.
Zyra e tij e shtypit tha se Netanyahu kishte bërë një gabim në fjalim dhe se në tekstin e tij të parapërgatitur shkruhej “kërcënim të besueshëm ushtarak” e jo “kërcënim të besueshëm bërthamor”.
“U lexua gabimisht si kërcënim i besueshëm bërthamor. Kryeministri i qëndron tekstit origjinal të fjalimit”, tha zyra e kryeministrit izraelit.
Izraeli ka program shumë të njohur por të padeklaruar bërthamor. Besohet se nga janari Izraeli ka një depo me 90 koka bërthamore, sipas Institutit Ndërkombëtar të Paqes në Stokholm. Teherani, ndërkohë, e mohon se synon të ketë bombë bërthamore, por i ka shkelur limitet e pasurimit me uranium të cilat u vendosën ndaj tij në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara më 2015, nga e cila u tërhoq ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe u rivendosën sanksione.
Richard Gowan, i cili i përcjell Kombet e Bashkuara për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, tha se nuk është e pazakontë për liderët që t’i lexojnë gabimisht fjalimet e tyre./Zëri