
IZRAEL- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të premten se Izraeli u koordinua me Shtetet e Bashkuara “përpara” sulmit ndaj Iranit dhe se administrata Trump “ishte në dijeni të sulmit”.
“Ne ua kemi thënë atyre paraprakisht, ata e dinin për sulmin”, tha Netanyahu në një video të regjistruar paraprakisht, që u publikua të premten pasdite. “Çfarë do të bëjnë tani, ia lë Presidentit Trump, ai i merr vendimet e veta në mënyrë të pavarur.”
“Nuk do të flas në emër të tij. Ai flet shumë bindshëm dhe shumë vendosmërisht dhe tha se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, ata nuk duhet të kenë aftësi pasurimi”, shtoi Netanyahu.
Nga ana tjetër, kujtojmë se Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha në një deklaratë të enjten se nuk kishte asnjë përfshirje apo ndihmë të SHBA-së në sulme.
“Autoritetet izraelite diskutuan "çmimin që do të duhet të paguajmë" përpara se të nisnin sulmin e tyre gjatë natës ndaj Iranit,”- tha më tej kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
“Kishte dyshime, njerëzit bënin pyetje, kryesisht për dy gjëra: në lidhje me aftësitë tona dhe në lidhje me çmimin që do të duhet të paguajmë”, tha Netanyahu në një video të regjistruar paraprakisht.
“Lidhur me çmimin, thashë se do të ketë një çmim dhe ne po përpiqemi ta ulim atë në mënyra të ndryshme, nuk do të jap më shumë detaje. Por është e rëndësishme për mua që ju qytetarët të ndihmoni në uljen e tij, duke mos qenë euforikë... dhe thjesht duke iu bindur udhëzimeve (të Komandës së Frontit të Brendshëm) dhe duke qëndruar pranë hapësirave të sigurta, sepse ne dhe ju duam të minimizojmë dëmin ndaj jetës sa më shumë që të jetë e mundur”, tha ai.
Duke diskutuar mundësinë e një kundërsulmi nga Irani, Netanyahu tha: “Po ju them se do të ketë. Ne kemi goditur një pjesë të konsiderueshme të udhëheqjes ushtarake iraniane. Ne kemi goditur një pjesë të konsiderueshme të shkencëtarëve bërthamorë që udhëheqin programin e tyre bërthamor. Gjithashtu kemi vepruar kundër mbrojtjes së tyre ajrore. ... Kjo erdhi si surprizë për ta.”
“I thashë (Presidentit të SHBA-së Donald) Trump se surpriza është elementi i suksesit”, shtoi ai. “Sigurisht, krijoi kaos në Iran, por të gjithë duhet të supozojmë se do të ketë një kundërsulm kundër nesh. Mund të vijë në valë dhe mund të jetë shumë e vështirë.”