
LONDËR- Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull shqiptarëve të cilët kanë kaluar Kanalin Anglez dhe tashmë kanë krijuar banda kriminale që prodhojnë dhe shesin lëndë narkotike, veçanërisht kanabis në Britaninë e Madhe.
Sipas shkrimit, shqiptarët që shkuan në Angli me varka të vogla u “punësuan si fermerë” në shtëpitë e krijuara për të prodhuar kanabis, të cilat ose janë marrë me qera ose ndodhen në ndërtesa industriale, por që tashmë janë boshatisur dhe janë kthyer në “ferma”. Në vetëm 12 javë, “fermerët”, mund të përfitojnë deri në 2 milionë paund nga shitja e lëndes narkotike. Bandat kanë krijuar një kanal privat në rrjetin social “Telegram”, ku pjesë e tij janë 700 persona, dhe sipas autoriteteve ata ndajnë informacione për të shitur prodhimin e tyre. Bisedat mes tyre janë të fokusuara në llojin e kimikatëve që i ndihmon bimët të rriten më shpejtë dhe shëndetshëm, mënyrën e duhur sesi duhet të korren, çmimi që duhet të shitur në treg dhe armët që duhet të përdorin për të mbrojtur prodhimin e tyre nga bandat rivale. Sipas disa mesazheve në grup, në disa grabitje të ndodhura punëtorëve iu janë prerë gishtat nga rivalët, por sërish pronarët kanë kërkuar pesëfishin e fitimit që do të vinte nëse bimët do të kishin dalë në treg.
Agjencia Kombëtare e Krimit (AKK) tha se bandat shqiptare tashmë janë bërë profesionalist të pamëshirshëm në kultivimin e kanabisit dhe iu kanë “rrëmbyer” tregun vietnamezëve, të cilët dikur kryesonin si ofruesit kryesorë të kanabisit në Britaninë e Madhe. Bandat shqiptarë kanë eksperienc në treg, pasi ata janë kthyer nga kokaina në kanabis për shkak të “rrezikut” më të ulët që iu kanoset. Por, gjithashtu është një nga substancat më të kërkuara, sepse britanikët konsumojnë 240 ton drogë, me vlerë 2.4 miliardë paund, në vit dhe nuk kërkon transport ndërkufitar, sepse është prodhim vendas. Në vitin 2022 12,685 shqiptarë kaluan Kanalin me varka të vogla, kjo iu ka siguruar trafikantëve punëtorëve të paligjshëm, të aftë në teknologjinë hidroponike që kërkohet për të rritur bimët në dhomat e errëta të shtëpive ku të gjitha dritaret janë vulosur. Gjithashtu edhe policia është fokusuar më shumë në goditjen e tregut të kanabisit, vetëm këtë korrik u arrestuan 29 shqiptarë, ndërsa në muajin gusht 24 të tjerë dolën para gjykatës, ku dhe u njohën me masën e sigurisë. Ndërsa në 3 muajt e fundit 101 shqiptarë në total janë dënuar me 300 vite burg, që do të thotë nga 3 vite secili. Shumë njerëz u punësuan nga bandat pasi qeveria ndaloi shumë firma të punësojnë emigratët e paligjshëm, gjë që kjo vështirësoi punën për shumë persona që ndodhen në Angli dhe zgjidhja e vetme për ta ishte të kërkonin “shpresë” tek bandat kriminale.

Policia tha se “Telegram” është kthyer në një platformë të përshtatshme për kriminelët. Kanali i shqiptarëve është quajtur “Kusho” (kushëri). Aktualisht ka 703 anëtarë që ndajnë informacione se si të prodhohet sasia maksimale e kanabisit nga fara në bimë të rritura. Informacionet dhe mesazhet e shkëmbyera u mblodhen pasi një reporter i inflirtuar u bë pjesë e grupit. "Të gjithë, ju duhet të mësoni se si të rritni 'trëndafila'", shkroi një nga krijuesit e kanalit.
Një tjetër anëtar renditi gjashtë kimikatet kryesore që kishin rezultuar më efektive për rritje të shpejtë dhe të shëndetshme. Gjithashtu një video e postuar, demonstron mënyrën më të mirë për të prerë gjethet nga një bimë kanabisi, ndërsa një anëtar, duke përdorur pseudonimin Bushi06, ofronte fidanë kanabisi për 5£ dhe mburrej se kishte shitur 700 deri më tani.
Në diskutimet se si të mbroheshin “fermat”, një shqiptar shpjegoi se ishte më mirë të shpenzoje 337£ për armë të ndryshme të ftohta sesa një armë zjarri, sepse nëse arrestohesh duke poseduar ato do të dënohesh më pak. Për disa nga anëtarët e bandave është më mirë të zbulohen nga policia sesa të grabiten nga rivalët e tyre.
“Po ndodhin shumë grabitje në shtëpitë e kanabisit në Leicester. I kanë prerë gishtat një punëtori shqiptar”, shkruan një anëtar i grupit.
"Policia nuk është problemi i madh. Problemi kryesor janë grabitësit që tani po përdorin dron për të identifikuar shtëpitë. Ata zbulojnë nxehtësinë nga bimët përmes çatisë së shtëpive”, shkruan një tjetër.
Të tjerë u ankuan se pronarët po kërkojnë më shumë për dhënien në qera të pronave të tyre.
“Pronarët në Londër po na kërkojnë 4000 £ në muaj për një shtëpi. Nuk ia vlen fare”, tha njëri.
“Deri më tani kam investuar 31,000 £ në një shtëpi, duke përfshirë 12 mijë për izolimin e saj dhe 12 mijë për dritat. Nuk e di nëse do t'I fitoj paratë që kam shpenzuar. Agjencia që më ka marrë me qira shtëpinë po kërkon 9,000 paund kur produkti të jetë gati për korrje”, shkruan një tjetër.
Verën e kaluar, policia nisi Operacionin Mille për të synuar fermat e kanabisit në Britaninë e Madhe. Mes të burgosurve ishte Nard Nidri, 34 vjeç, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 dhe jetoi në Birmingham, më pas u transferua në Sëansea, ku punoi në një lavazh makinash, përpara se të “punësohej” për një fermë kanabisi.
Ai ishte një nga katër "kopshtarët" të burgosur për një total prej gjashtë vjetësh në gusht, pasi policia i arrestoi ata në një pronë në Neath, në Uellsin jugor. Dy dhoma dhe papafingo ishin përshtatur dhe izoluar për të rritur bimë me një vlerë prej 85,000 £.
Gjatë seancës, gjykatësi Geraint Walters tha se fermat e kanabisit që drejtoheshin nga bandat kriminale shqiptare kishin arritur "nivele epidemike ishin kthyer në një industri".
Ai sugjeroi që autoritetet duhet të shikojnë sektorin e banesave me qira, duke vënë në dukje se ndërsa të ashtuquajturit "fermerë" të kanabisit shpesh paraqiteshin në gjykatë, pronarët dhe të tjerët që merrnin para nga qiraja e pronave që përdoreshin për operacionet në rritje, rrallë e bënin këtë. /ZËRI