SHBA- Administratori i NASA-s ka lëshuar një direktivë për të përshpejtuar përpjekjet për të vendosur një reaktor bërthamor në Hënë.
“Për të avancuar siç duhet këtë teknologji kritike, në mënyrë që të jetë në gjendje të mbështesë një ekonomi hënore në të ardhmen, gjenerimin e energjisë me fuqi të lartë në Mars dhe për të forcuar sigurinë tonë kombëtare në hapësirë, është e domosdoshme që agjencia të veprojë shpejt”, shkroi në direktivën e tij Sean Duffy, sekretari i transportit, të cilin Presidenti Trump e emëroi muajin e kaluar si udhëheqës të përkohshëm të agjencisë hapësinore.
Në direktivë, Duffy citon planet e Kinës dhe Rusisë për të vendosur një reaktor në hënë deri në mesin e viteve 2030, si pjesë e një partneriteti për të ndërtuar një bazë atje.
"Nëse jenë të parët, Kina dhe Rusia mund të deklarojnë një zonë ndalimi që do të pengonte atë që Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë në hënë,"- tha Duffy sipas "New York Times". Direktiva kërkon emërimin e një zyrtari të NASA-s për të mbikëqyrur përpjekjet brenda 30 ditëve dhe që një kërkesë që kërkon propozime nga kompanitë tregtare që të lëshohet brenda 60 ditëve. Reaktori do të duhet të gjenerojë të paktën 100 kilovat energji elektrike - të mjaftueshme për rreth 80 familje në Shtetet e Bashkuara - dhe të jetë gati për t'u lançuar në fund të vitit 2029.
Një ditë hënore zgjat 4 javë në Tokë — dy javë me diell të vazhdueshëm, të ndjekura nga dy javë errësirë e ftohtë. Ky cikël i ashpër e bën të vështirë që një anije kozmike ose një bazë në hënë të mbijetojë vetëm me panele diellore dhe bateri. Përpjekjet aktuale të eksplorimit, si nga NASA ashtu edhe nga partneriteti kinezo-rus, po përqendrohen në rajonin polar jugor, ku dielli nuk është kurrë lart mbi horizont.
Gjatë viteve, NASA ka financuar kërkimin për reaktorët bërthamorë, duke përfshirë dhënien e tre kontratave prej 5 milionë dollarësh në vitin 2022 për kompanitë që zhvillonin dizajne fillestare. Përshpejtimi i zhvillimit bërthamor është pjesë e përpjekjeve të administratës për ta përqendruar NASA-n në fluturimet hapësinore me njerëz, ndërkohë që kërkon shkurtime në sondat hapësinore robotike, kërkimin shkencor të klimës dhe zhvillimin e teknologjisë së aviacionit.
Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë energjie do të furnizojë reaktori bërthamor. Ulja e parë në hënë në kuadër të programit të NASA-s për kthim në hënë, i njohur si Artemis, është planifikuar për vitin 2027, por shumë ekspertë e konsiderojnë këtë afat kohor të pamundur.
Shumë nga komponentët e nevojshëm, përfshirë anijen hënore Starship që është në zhvillim e sipër nga SpaceX, janë ende të paprovuara.
NASA do të fillojë të kërkojë propozime brenda 60 ditëve dhe do të japë të paktën dy kontrata./ZËRI