Bota

OKB: 32 foshnja në gjendje kritike për jetën evakuohen nga spitali Al Shifa

Organizata Botërore e Shëndetësisë lajmëron se 32 foshnja të porsalindura janë evakuuar nga spitali Al Shifa. Ndërsa, gjendja në këtë spital paraqitet mjaft e rëndë.

D.XH
OKB: 32 foshnja në gjendje kritike për jetën evakuohen nga
Al Shifa

GAZA - Një ekip i Kombeve të Bashkuara tha të dielën se 291 pacientë u lanë në spitalin më të madh të Gazës, pasi trupat izraelite kishin evakuuar të tjerët. Së paku 32 foshnja në gjendje jashtëzakonisht kritike, janë evakuar, duke i dërguar në spitalet e Egjiptit.

OKB ishte në gjendje të vizitonte Spitalin Shifa për një orë pasi rreth 2,500 njerëz të zhvendosur, pacientë dhe personel mjekësor u larguan nga kompleksi spitalor.

“Pacientët dhe personeli shëndetësor ishin të tmerruar për sigurinë dhe shëndetin e tyre dhe u lutën për evakuim”, tha agjencia ndërkombëtare, duke e përshkruar Al Shifan si një zonë vdekjeje. OKB tha se më shumë ekipe do të përpiqen të shkojnë në Al Shifa në ditët në vijim për të evakuuar pacientët në Gazën jugore, ku spitalet janë gjithashtu të mbingarkuar.

Trupat izraelite po qëndrojnë në spital. Ushtria izraelite ka kërkuar në spitalin Shifa të qytetit të Gazës për një qendër komanduese të Hamasit, që pretendon se ndodhet nën objekt - një pretendim që Hamasi dhe stafi i spitalit e mohojnë.

Largimi masiv i së shtunës u portretizua nga Izraeli si vullnetar, por u përshkrua nga disa prej atyre që u larguan si një eksod i detyruar.

“Ne u larguam me armë”, tha Mahmoud Abu Auf për Associated Press. “Tanket dhe snajperët ishin kudo brenda dhe jashtë kompleksit spitalor”, shtoi ai. Auf tha se kishte parë trupat izraelite të arrestonin tre burra.

Ushtria izraelite, e cila kishte paralajmëruar banorët e Jabaliya dhe të tjerët në një postim në mediat sociale në arabisht që të largoheshin, tha se trupat e saj ishin aktive në zonë me synimin për të goditur terroristët. Ushtria rrallë komenton sulmet individuale, duke thënë se synon Hamasin, ndërsa përpiqet të minimizojë dëmtimin e civilëve.

Në Gazën jugore, një sulm ajror izraelit goditi një ndërtesë banimi në periferi të qytetit Khan Younis, duke vrarë të paktën 26 palestinezë, sipas një mjeku në spitalin ku u morën trupat.

Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se forcat izraelite kanë filluar të operojnë në qytetin lindor të Gazës, ndërsa vazhdojnë misionin e tyre në zonat perëndimore. “Çdo ditë që kalon, ka më pak vende ku terroristët e Hamasit mund të veprojnë”, tha ai.

Komentet e tij ishin treguesi më i qartë se ushtria planifikon të zgjerojë ofensivën e saj në Gazën jugore, ku Izraeli u kishte thënë civilëve palestinezë që të largoheshin në fillim të luftës.

Zona e evakuimit është tashmë e mbushur me civilë të zhvendosur dhe nuk ishte e qartë se ku do të shkonin, nëse ofensiva afrohej. Arsyeja që çoi në evakuimin e Spitalit Shifa nuk dihet ende. Njëzet e pesë spitalet e Gazës nuk funksionojnë për shkak të mungesës së karburantit, dëmtimit dhe problemeve të tjera, dhe 11 të tjera janë vetëm pjesërisht funksionale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Shërbimet e internetit dhe telefonit u rivendosën të shtunën në Gaza, duke i dhënë fund një ndërprerjeje të telekomunikacionit, që kishte detyruar Kombet e Bashkuara të mbyllnin dërgesat e ndihmave kritike.

Më shumë se 11,500 palestinezë janë vrarë, sipas autoriteteve palestineze shëndetësore. 2700 të tjerë janë raportuar të zhdukur, që besohet se janë varrosur nën rrënoja. Numërimi nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB