
FRANCË- Lëvizjet e Marine Le Pen nga një këndvështrim ligjor nuk janë të shumta. Asaj i duhet që të përballet me dënimin që i caktoi Gjykata franceze, edhe pse ka premtuar se vendimi do të apelohet. Këto janë procese që mund të zgjasin disa muaj apo dhe disa vite. Siç ka deklaruar Marine Le Pen, përmes avokatit të saj Rodolfo Basseloux, kjo çështje do të apelohet ndaj edhe drejtuesja e "National Rally" nuk do të vuajë menjëherë dënimin e caktuar për të qëndruar 2 vite me byzylyk elektronik në këmbë.
Praktikisht do të thotë se deri në një vendim të prerë, Le Pen konsiderohet e pafajshme. Gjykatat tani duhet të presin konfirmimin e dënimit nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Kasacionit, përpara se të mund të zbatojnë dënimin me burg dhe gjobë.
Por, ndalimi 5-vjeçar për të mbajur poste publike ende mbetet në fuqi. Praktikisht, kjo do të thotë se Le Pen nuk ka gjasa të jetë në gjendje të kandidojë për zgjedhje në pesë vitet e ardhshme. Por mund të vazhdojë dhe të mbajë postin e saj di deputete.
Katër skenarë për të ardhmen
1. Apeli i Marine Le Pen nuk përfundon para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027 ose dëgjohet dhe refuzohet
Në këtë rast, Jordan Bardella konsiderohet pasardhësi i saj. Thashethemet se mbesa e saj Marion Marechal po e kërcënon, konsiderohen si të pavërteta.
2. Ankesa e Marine Le Pen dëgjohet në kohën e duhur dhe vendimi i shkallës së parë anulohet para zgjedhjeve të 2027
Nuk ka shumë gjasa, duke pasur parasysh kohën që duhet zakonisht për të siguruar një gjyq apeli në Francë - por asgjë nuk mund të përjashtohet.
3. Jordan Bardella zgjidhet president në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 dhe emëron Marine Le Pen si kryeministren e tij
Le Pen e dëshiron diçka të tillë dhe asgjë nuk do ta pengonte atë të merrte postin e kryeministres, duke përmbysur rolet e dyshes që ajo ka propozuar për 18 muajt e fundit.
4. Jordan Bardella zgjidhet president në zgjedhjet presidenciale të 2027, fal Le Pen dhe jep dorëheqjen në mënyrë që ajo të mund të kandidojë
Por falja presidenciale mund të jepet vetëm kur një çështje të jetë vendosur përfundimisht. Edhe në këtë rast duhet vendimi i Apelit.
Që Le Pen të mund të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vitin 2027, është e nevojshme që gjykimi në Gjykatën e Apelit të bëhet para raundit të parë të zgjedhjeve dhe deri atëherë të merret vendimi. Duke qenë se bëhet fjalë për një çështje të madhe me shumë të pandehur, shqyrtimi i çështjes nga Gjykata e Apelit do të zgjaste të paktën 18 muaj dhe do të rezultonte në një gjykim që do të zgjaste disa javë. Ndaj edhe duke folur për mediat franceze, disa avokatë dhe gjyqtarë e konsiderojnë si "të pamundur" që Marine Le Pen të jetë në gjendje të kandidojë në vitin 2027./ZËRI