Bota

'Pa ujë e ushqim', OBSH ngre alarmin: Dimër i tmerrshëm në Gaza, infeksionet në rritje

Organizata Botërore e Shëndetësisë, por edhe agjenci të tjera ndërkombëtare shprehen se numri i viktimave indirekt të luftës mund të rritet, për shkak se në enklavë mungojnë ilaçet dhe ushqimet.

D.XH
'Pa ujë e ushqim', OBSH ngre alarmin: Dimër i tmerrshëm
Gaza

GAZA - OBSH ka paralajmëruar se civilët e Gazës përballen me mundësinë e urisë dhe se mbipopullimi e mungesa e ujit të pastër po shpejtojnë përhapjen e sëmundjeve. Situata bëhet më e rëndë, me afrimin e dimrit.

Dërgesat e ushqimeve që janë të pakta dhe furnizimet e tjera që janë ndaluar ditët e fundit, për shkak të mungesës së karburantit për kamionët, ka bërë që situata të rëndohet. Operatorët palestinezë thanë se nuk kishin karburant për të fuqizuar sistemet e telefonit dhe të internetit.

Frika po rritet gjithashtu për njerëzit e grumbulluar në jug të Rripit të Gazës, pasi ushtria izraelite po konsolidon kontrollin e saj në zonat veriore rreth qytetit të Gazës dhe duket se po përgatitet të shtojë operacionet diku tjetër.

Civilëve në pjesë të Gazës juglindore u është thënë në fletëpalosjet e hedhura nga avionët izraelitë, që të lëvizin në një "zonë të sigurt" më të vogël në qytetin bregdetar Mauasi, i cili mbulon vetëm 14 km katrorë (5.4 milje katrorë). Agjencitë ndërkombëtare kanë thënë se janë shumë banorë dhe se vendi atje është kaq i vogël, sa nuk mjafton për këta persona.

“Pa kushtet e duhura, përqendrimi i civilëve në zona të tilla kur lufta është në kulmin e vet, mund të rrisë rrezikun e sulmeve dhe përhapje të sëmundjeve”, thanë agjencitë në një deklaratë të përbashkët. “Asnjë ‘zonë e sigurt’ nuk është vërtetë e sigurt kur deklarohet në mënyrë të njëanshme ose zbatohet nga prania e forcave të armatosura”, deklaruan agjencitë ndërkombëtare.

Tashmë 1.6 milionë njerëz janë zhvendosur nga Gaza, që është më shumë se dy të tretat e popullsisë së enklavës. Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha të premten se më shumë se 800,000 persona të zhvendosur brenda vendit po qëndronin në të paktën 154 strehimore të drejtuara nga UNRUA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë.

OKB-ja nuk është në gjendje t'u sigurojë atyre ushqim, ujë ose kujdes mjekësor të mjaftueshëm. Edhe kur ka arritur ushqimi, dërgesat janë mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar urinë e dëshpëruar, pasi pothuajse 2.3 milionë banorët e Gazës kanë nevojë për ndihmë.

Cindy McCain, drejtoresha ekzekutive e Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (UFP), tha: “Furnizimet me ushqim dhe ujë praktikisht nuk ekzistojnë në Gaza dhe vetëm një pjesë e asaj që nevojitet po arrin përmes kufijve. Civilët po përballen me mundësinë e menjëhershme të urisë. Nuk ka asnjë mënyrë për të plotësuar nevojat aktuale të urisë. Shpresa e vetme është hapja e një kalimi tjetër, të sigurt për aksesin humanitar për të sjellë ushqime shpëtimtare në Gaza”.

Më pak se gjysma e 1,129 kamionëve që kanë hyrë në Gaza që nga hapja e kalimit kufitar Rafah më 21 tetor kanë bartur ushqim dhe sasia e marrë është e mjaftueshme vetëm për të përmbushur 7% të nevojave minimale ditore të njerëzve.

Konflikti u shkaktua nga një sulm i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, që vrau më shumë se 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë. Numri i viktimave indirekte të luftës pritet të rritet, nëse nuk ka ndihmë për Gazën. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për përhapjen e sëmundjeve, kur të vijë sezoni i dimrit, pasi shumë njerëz janë me diarre dhe infeksione të frymëmarrjes. Këta individë qëndrojnë nëpër strehimore dhe përhapin sëmundjet që bartin.

Impiantet e trajtimit të ujërave të zeza dhe të pompimit të ujit janë mbyllur, për shkak të mungesës së karburantit dhe shirat e dimrit që sjellin rrezikun e përmbytjeve mund të përkeqësojnë problemet.

Pedro Arrojo-Agudo, raportuesi special i OKB-së për ujin dhe kanalizimet, i bëri thirrje Izraelit të lejojë ujin dhe karburantin në Gaza për të rifilluar rrjetin e furnizimit me ujë.

Të premten, ushtria izraelite identifikoi trupin e një pengu të dytë të gjetur pranë spitalit al-Shifa, që ishte i një ushtari 19-vjeçar, Cpl Noa Marciano. Më parë, autoritetet identifikuan 65-vjeçaren Yehudit Ueiss, e cila ishte marrë nga shtëpia e saj në Kibbutz, pranë kufirit.

Trupat izraelite sulmuan këtë javë spitalin Al Shifa, më i madhi në Gaza. Ushtria izraelite thotë se kompleksi, mjekët dhe pacientët e tij, janë përdorur si mburoja njerëzore për të mbrojtur qendrat e komandës dhe kontrollit të Hamasit, të fshehura në rrjetet e tuneleve nën tokë, ku dyshohet se organizata mban dhe pengjet./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB