
ITALI - I mbuluar me një këllëf jastëku dhe më pas i goditur me grusht në fytyrë dhe lënë anash në korridor, i shkelur me çizme, i mbajtur për disa minuta nga krahët dhe këmbët nga oficerët e policisë së burgut. Kështu u keqtrajtua një i burgosur në Reggio Emilia.
Më pas u zhvesh lakuriq dhe u ngrit, ende me kapuç në kokë, derisa u tërhoq zvarrë në qeli. Rrahja që pësoi një i burgosur 40-vjeçar tunizian më 3 prill në një korridor të një burgu italian, të institutit Reggio Emilia, dokumentohet nga videot e kamerave të brendshme, të cilat përfunduan në procesverbalet e hetimit, të marrë në dorë nga Prokuroria e Reggio Emilias kundër 10 oficerëve, ku tetë tashmë janë akuzuar për torturë. Videoja, të cilën ANSA e ka parë, tregon gati dhjetë minuta rrahje, që ndodhi në dy faza: rreth shtatë minuta rrahje në korridor, pastaj në derën e qelisë. “Pamje brutale, e egër dhe absolutisht joproporcionale me sjelljen e të burgosurit”, shkruante magjistrati hetues Luca Ramponi, i cili në korrik lëshoi një urdhër për ndalimin e punës për dhjetë të dyshuarit.


I burgosuri sapo ishte larguar nga dhoma e drejtorit, pasi i ishte shqiptuar sanksion izolimi, për shkak se kishte shkelur rregullat. Teksa po shkonte drejt qelive, kamerat regjistrojnë sesi e kapën, e goditën dhe më e qëllojnë pa mëshirë, kur ishte shtrirë në tokë. Pastaj, shihet sesi i burgosuri u ngrit në ajër, ende me kapuç dhe në atë moment u zhvesh lakuriq. Ai u dërgua në qeli dhe u rrah përsëri, më pas ai qëndroi atje për më shumë se një orë, pavarësisht kërkesave për ndihmë. Në atë moment, tuniziani ka thyer lavamanin e qelisë, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen, duke filluar të lëndohej me copat e lavamanit. Pamjet tregojnë korridorin përballë qelisë që është “mbytur” me gjak. Pas rreth një ore, një mjek dhe një tjetër i burgosur ndërhynë dhe e ndihmuan të burgosurin. Viktima më pas ka bërë një denoncim, duke bërë që për rastin të nisin hetimet.
Mbrojtja e viktimës: Skenat e dhunës janë të papranueshme
Mbrojtja e të burgosurit nga Tunizia tha se imazhet ishin shokuese dhe të papranueshme. "Këto janë imazhe të tmerrshme dhe të papranueshme, dhunë e paarsyeshme ndaj një njeriu të vetëm, të privuar nga liria, me kapuç, të prangosur dhe në tokë. Dua të nënvizoj punën e Prokurorisë së Reggio Emilias, e cila me shpejtësinë dhe vendosmërinë e duhur ka kryer hetimet”, tha mbrojtja.
Avokati Sebastiani tha se kjo nuk është hera e parë që ndodhin të tilla ngjarje monstruoze në burgjet italiane.
“Nuk është hera e parë që flitet për tortura brenda burgjeve, prandaj shpresoj që kjo çështje shumë e rëndë, të mund të flitet seriozisht në vend. Bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Itali. Për më tepër, vetëm pak ditë më parë na u desh të ishim dëshmitarë të trajtimit çnjerëzor të një italiani në një vend tjetër të BE-së”, deklaroi avokati. Tuniziani i burgosur që u torturua ndodhet tashmë në spital për kurim./ZËRI/