
STAMBOLL - Ministria e Brendshme turke tha se policia bastisi 30 vende dhe arrestoi 47 persona, si pjesë e hetimit për sulmin terrorist në një kishë në Stamboll.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën, grupi i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për një sulm në një kishë katolike romake në Stamboll gjatë meshës së së dielës, që la një person të vdekur. Ngjarja është ende nën hetim nga autoritetet turke.
Grupi ekstremist tha se "sulmoi një mbledhje të të pafeve të krishterë gjatë ceremonisë së tyre politeiste", në kishën Santa Maria në lagjen Buyukdere të Stambollit, të dielën. Dy persona me fytyrë të mbuluar hynë në kishë dhe hapën zjarr ndaj një personi, i cili nuk i mbijetoi sulmit.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha pak para mesnatës se dy burra, që ai i përshkroi si anëtarë të lëvizjes ekstremiste të Shtetit Islamik ishin arrestuar për sulmin. Njëri nga të dyshuarit është nga Taxhikistani, tjetri nga Rusia. Dhjetra të dyshuar u arrestuan më vonë, tha ministri.
Marrja e përgjegjësisë u postua në Aamaq, rrjeti mediatik i grupit militant, së bashku me fotot e dy burrave të maskuar me armë, të cilët u identifikuan si agresorët. Grupi tha se sulmi ishte "në përgjigje të thirrjeve të liderëve të Shtetit Islamik për të sulmuar hebrenjtë dhe të krishterët, kudo ata jetojnë". Besimtarët në një kishë në Stamboll u sulmuan nga dy persona të maskuar, të cilët tashmë janë vënë në pranga./ZËRI/