
VATIKAN- Probleme shëndetësore janë shfaqur për Papa Françeskun. Papa, në takimin me rabinët evropianë, shpjegoi se nuk ishte në gjendje të lexonte fjalimin e përgatitur për shkak të shëndetit të tij.
"Faleminderit për këtë vizitë, por nuk jam mirë me shëndet dhe për këtë arsye preferoj të mos e lexoj fjalimin dhe dua jap në dorë, që ta keni”, ka thënë Papa.
Papa Francesku i shqiptoi këto fjalë me një zë shumë të ulët e të zbehtë dhe nuk vazhdoi më. Papa Françesku ka sot një axhendë të ngjeshur takimesh personale dhe dëgjimesh publike. Pasdite u caktua edhe një takim në sallën Pali VI me shtatë mijë fëmijë nga e gjithë bota.
Çfarë thuhej në fjalimin që kishte përgatitur Papa për rabinët europianë?
Në fjalimin që Papa kishte përgatitur për rabinët europianë, thuhej se dialogu të çon në paqe dhe jo në hakmarrje. “Fjala e Zotit i çon të tjerët drejt pranimit, drejt durimit; jo drejt nxitimit të papritur të hakmarrjes dhe çmendurisë së urrejtjes së luftës. Prandaj është e rëndësishme që ne besimtarët të jemi dëshmitarë të dialogut”, thekson Papa.
“Jo armët, jo terrorizmi, jo lufta, por dhembshuria, drejtësia dhe dialogu janë mjetet e duhura për të ndërtuar paqen”, nënvizon Papa.
I pari i Vatikanit ishte i shqetësuar edhe për luftën Izrael-Hamas, duke thënë se dialogu mund të prodhojë zgjidhje. Ai dënoi edhe urrejtjen antisimite në botë. Papa Francesku ka pranuar se ka probleme fizike, sidomos me përqëndrimin. Mirëpo, ai nuk ka pranuar të mbajë karrige me rrota. Së paku jo deri tani./Zëri.ai