
UKRAINË- Bashkimi Evropian ka reaguar pas paralajmërimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se Rusia mund të tentojë të nxisë konflikte në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në reagimin e tij ka ndarë shqetësimin dhe është pajtuar me paralajmërimin e presidentit ukrainas. Sipas tij Rusia po bën gjithçka që mundet dhe nuk përjashtohet as një konflikt në Ballkan.
“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”,- ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Të enjten, Zelensky ka bërë thirrje për më shumë vëmendje për Ballkanin, përfshirë Kosovën, pasi që sipas tij ka informacione se Rusia po planifikon që ta nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina. Sipas tij, Moska vepron kështu, duke hapur shumë fronte lufte, me qëllim që dhe Perëndimi të hutohet e të mos dijë kë të ndihmojë më parë./Zëri.ai