
Irani e ka paralajmëruar Izraelin për një sulm më të madh në territorin e tij nëse ai hakmerret kundër sulmeve me dron dhe raketa të Teheranit gjatë natës, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të mbështesin një veprim ushtarak izraelit.
“Nëse regjimi sionist [Izraeli] ose mbështetësit e tij demonstrojnë sjellje të pamatur, ata do të marrin një përgjigje vendimtare dhe shumë më të fortë”, tha presidenti i Iranit Ebrahim Raisi në një deklaratë të dielën.
Deklarata e Raisit pason një paralajmërim të ngjashëm nga shefi ushtarak iranian, gjeneral-majori Mohammad Bagheri, i cili i tha televizionit shtetëror se një përgjigje "shumë më e madhe" e pret Izraelin "nëse hakmerret kundër Iranit".
Bagheri tha se sulmi iranian ndaj Izraelit "ka arritur të gjitha qëllimet e tij dhe sipas mendimit tonë operacioni ka përfunduar dhe ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë". Më herët të dielën, ai paralajmëroi SHBA-në se çdo mbështetje e hakmarrjes izraelite do të rezultonte në shënjestrimin e bazave të saj nga Irani./ZËRI