
KANADA- Mark Carney është zyrtarisht kryeministri i ri kanadez, deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Siç është traditë në Kanada, Carney është betuar në të dyja gjuhët zyrtare, anglisht dhe frëngjisht.
Ai recitoi një betim, duke u betuar për besnikëri ndaj mbretit Charles III, mbretit të Kanadasë, si dhe trashëgimtarëve dhe pasardhësve të tij. Carney gjithashtu u zotua të jetë një “shërbëtor besnik dhe i vërtetë i madhërisë së tij”.
Carney pason Justin Trudeau në këtë pozitë, pasi ky i fundit u dorëhoq më shumë se një muaj më parë, duke i lënë vendin garës për kreun e ri të partisë dhe pozitës së kryeministër, të cilën e fitoi me diferencë të madhe Carney. Sfida e tij më e madhe gjithsesi do të jetë t’i bëjë ballë furisë së tarifave të Donald Trump.
Duke folur për krizat aktuale të vendit, Carney tha se dy prioritetet e tij më të mëdha janë "mbrojtja e punëtorëve kanadezë dhe familjeve të tyre përballë veprimeve të pajustifikuara të tregtisë së jashtme, dhe së dyti, rritja e këtij vendi të madh duke vendosur më shumë para në xhepat e kanadezëve, duke siguruar që qeveria të shpenzojë më pak në mënyrë që Kanadaja të mund të investojë më shumë duke ndërtuar miliona shtëpi".
Carney fitoi në votimin e parë të dielën në mbrëmje, duke marrë 85.9% të votave për të mundur rivalin e tij më të afërt, ish-ministren e financave, Chrystia Freeland. Carney, i cili do të drejtojë një qeveri të pakicës në Parlament, ose mund të thërrasë vetë zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, ose partitë opozitare mund t’i detyrojnë ato me një votë mosbesimi më vonë këtë muaj./ZËRI