Bota

'Për 24 orë e ndaloj luftën'/ Zelenskyy telefonon Trump, ç'pritet të ndodhë me konfliktin Rusi-Ukrainë

Zelenskyy ka njoftuar në rrjetet sociale se ka uruar Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.

k.m.
'Për 24 orë e ndaloj luftën'/ Zelenskyy telefonon
Donald Trump dhe Volodymir Zelenskyy

SHBA- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi se mbrëmë ka pasur një bisedë telefonike me Donald Trump, presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve. Zelenskyy ka njoftuar në rrjetet sociale se ka uruar Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.

“Pata një bisedë të mrekullueshme me Presidentin Trump dhe e përgëzova për fitoren e tij historike dhe bindëse, një rezultat që u arrit vetëm falë fushatës së tij mbresëlënëse. Ne ramë dakord të mbajmë një dialog të ngushtë dhe të forcojmë bashkëpunimin tonë,”- ka shkruar Zelensky në Telegram. Po ashtu, presidenti i Ukrainës shtoi se udhëheqja e fortë dhe e palëkundur amerikane është e një rëndësie kyçe për botën dhe për një paqe të drejtë.

Kyiv Independent raporton se as Zelensky dhe as Trump nuk dhanë detaje shtesë në lidhje me këtë telefonatë.

Gjatë debateve të kandidatëve për presidentë, Trump tha se do ta kishte ndaluar luftën për 24 orë. 

"Do të ndaloj luftën për 24 orë, jo 24 kur të jem në detyrë, por sapo të zgjidhem. Do i bëj një telefonatë Zelenskyy-t dhe një telefonatë Putinit. E di shumë mirë se çfarë do i them secilit. Kush do fitojë luftën? Kjo nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka që nuk do të ketë më viktima,"-tha Trump gjatë fushatës së tij. 

Po ashtu, Trump e ka kritikuar vazhdimisht presidentin ukrainas gjatë fushatës zgjedhore, duke e quajtur atë një “tregtar shumë të suksesshëm” që vjen në SHBA dhe merr para./ZËRI

Poll

MOS HUMB